Një 28-vjeçar norvegjez nën akuzë për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike është arrestuar nga policia në zonën e Plepave, Durrës.
Sebastian Templet, ishte shpallur në kërkim nga Norvegjia në prill të këtij viti. Ndërkohë në maj, po të këtij viti, Gjykata e Apelit, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
I riu pritet të ekstradohet drejt Norvegjisë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur “Plepat”, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, S. T., 28 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento