SPAK ka dërguar për gjykim Mak Gilajn, 28-vjeçarin e arrestuar në korrik të vitit të kaluar në kuadër të operacionit të koduar "Bjeshkët", ku u asgjesuan mbi 11 mijë bimë kanabisi në Malësi të Madhe.  Ai akuzohet për kultivim i bimëve narkotike, grup të strukturuar kriminal si dhe prodhim dhe armëmbajtje pa leje.

Më 27 Korrik të vitit të kaluar, pranë fshatit Selcë të Malësisë së Madhe, në një sipërfaqe toke livadh u gjet sasia e kultivuar, prej 11,358 bimë kanabisi, të mbjella në tre parcela pranë njëra-tjetrës. 

Nga kontrolli i ushtruar në një kasolle të improvizuar nga i riu dhe bashkëpunëtorët e tij, janë sekuestruar një pushkë Model 56, një armë gjahu me mbishkrim “SALSIMAZ”, si dhe disa fishekë luftarakë. Sipas Prokurorisë, ai kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, me disa persona të tjerë, në formën e grupit të strukturuar kriminal. 

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal me nr. 26 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit:

Mark Gilaji akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 284/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal

iii. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe

iv. “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se më datë 25.07.2024, pas kontrollit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pranë fshatit Selcë, në një sipërfaqe toke livadh është gjetur sasia e kultivuar, prej 11,358 (njëmbëdhjetëmijë e treqind e pesëdhjetë e tetë) bimë narkotike cannabis cattiva.

Bimët, me lartësi 40 – 100 cm kanë qenë të mbjella në 3 parcela pranë njëra-tjetrës, në një sipërfaqe prej 6,956 m2. Policia gjyqësore ka arrestuar në flagrancë të pandehurin Mark Gilaj.

Nga kontrolli i ushtruar në një kasolle të improvizuar nga i pandehuri dhe bashkëpunëtorët e tij, janë sekuestruar një pushkë Model 56, një armë gjahu me mbishkrim “SALSIMAZ”, si dhe disa fishekë luftarakë. 

I akuzuar për kultivim kanabisi, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje, SPAK çon për gjykim Mark Gilaj, duke konsumuar elementët e veprave penale për të cilat është akuzuar, të parashikuara nga nenet 284/1, 28/4, 334/1, 333/a/1278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

Ky i pandehur ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, me disa persona të tjerë, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 26 të vitit 2025, numërtimin si procedimet penale me nr. 26/1 të vitit 2025, dhe 26/2 të vitit 2025, si dhe vijimin e hetimeve rreth këtyre procedimeve.