TIRANË- Pas 2 orësh, SPAK ka përfunduar marrjen në pyetje të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, lidhur me aferën 4.9 mln euro me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.  Në dëshminë e tij, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se detyra e tij ka qenë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.

"Procedura është kryer dhe është ndjekur nga komisioni i ngritur për këtë çështje në Ministrinë e Mjedisit dhe se kam pasur detyrë vetëm ta përcjellë shkesën Këshillit të Ministrave për Miratim. Për sa i përket akuzës së korrupsionit për punësimin e babait tim në mënyrë fiktive në incineratorin e Tiranës, kontrata për punësimin e babait të tij nuk është firmosur nga Klodian Zoto, por nga ana e administratorit Italian. Babai im ka prishur kontratën e punës disa muaj përpara se të firmosej aktmarrëveshja për inceneratrin e Fierit", mësohet të ketë thënë Bllako.

Ndërkohë, nesër do të merret në pyetje ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka.

Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi sipas SPAK ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. 

Më 14 dhjetor 2021 SPAK arrestoi ish ministrin Lefter Koka si të përfshirë në aferën e inceneratorin të Elbasanit dhe atë të Fierit, duke përfituar rreth 5 milionë Euro. Sot bëjnë 4 muaj nga arrestimi i Kokës, ndërsa SPAK do ta marrë në pyetje për herë të parë pikërisht për këto afera ditën e nesërme. Do të jenë prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, që do të pyesin Kokën për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.

Koka prej dy javësh është transferuar në paraburgimin e Durrësit, ndërsa do të mbetet në burg pas vendimit të marrë më 31 mars nga Gjykata e Lartë, e cila i ka refuzuar rekursin për tu liruar nga masa e sigurimit 'arrest me burg' pas akuzave për përfitimin e 3.7 milionë euro për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe 1.2 milionë euro në inceneratorin e Fierit, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët.

Lefter Koka akuzohet për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Kjo pagesë, iu dha Kokës si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit SPAK ka sekuestruar kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
2 orë në SPAK, zbardhet dëshmia e Alqi Bllakos për aferën e inceneratorëve: S'kam pasur rol vendimmarrës, thjesht kam përcjellë shkresën te Këshilli i Ministrave

1649947420_12c7cb95e48f47d4965332788e969d19.jpg

Zbardhet dëshmia e  Alqi Bllakos para SPAK. Për gati 2 orë, ai ka sqaruar rolin ë tij në aferën e inceneratorëve, ku ka mohuar që të ketë pasur rol vendimmarrës. 

 Sipas tij, procedura është kryer dhe është ndjekur nga komisioni i ngritur për këtë çështje në Ministrinë e Mjedisit dhe se ai ka pasur detyrë vetëm ta përcjellë shkesën Këshillit të Ministrave për Miratim. Për sa i përket akuzës së korrupsionit për punësimin e babait të tij në mënyrë fiktive në incineratorin e Tiranës, Bllako është shprehur se kontrata për punësimin e babait të tij nuk është firmosur nga Klodian Zoto, por nga ana e administratorit Italian. Gjithashtu ai ka shtuar se babai i tij ka prishur kontratën e punës disa muaj përpara se të firmosej aktmarrëveshja për inceneratrin e Fierit. Dëshmia e bllakos do administrohet tashëm në fashikujt e dosjes hetimore.