Një vajzë e mitur tentoi vetëvrasje në një gjendje të rënduar psikologjike, që mendohet se i është shkaktuar pasi përndiqej me mesazhe nga një i burgosur.
Jetmir Llanaj, aktualisht në burg, siç bëjnë me dije burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema, kishte pasur lidhje me 16-vjeçaren, por pasi u arrestua në mars 2025, e mitura njohu një tjetër djalë.
Të njëjtat burime thonë se i burgosuri i vuri një person nga mbrapa për të ndjekur lëvizjet e të miturës, i cili ende nuk është identifikuar. Nën këtë gjendje të krijuar nga përndjekja, vajza u dëmtua me xham, por pa pasoja për jetën. Gjatë deklarimeve në polici për rastin, ka goditur dhe një punonjëse të policisë. Për ketë, e mitura po hetohet në gjendje të lirë.
Jetmir Llanaj 46 vjeç, ka qenë më herët i dënuar për vrasje, pasi u hakmor për vrasjen e djalit të tij 9-vjecar. Së fundi ishte arrestuar për gjobvënie.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet shtesë në Prokurori për shtetasin J. Ll. (aktualisht në IEVP), si dhe referuan materialet në Prokurori për një 16-vjeçare, pasi dyshohet se shtetasi J. Ll. dhe një shtetas tjetër kanë përndjekur të miturën, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, është vetëdëmtuar lehtë, me mjet prerës, si dhe ka goditur punonjësen e Policisë, kur po deklaronte për rastin. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që dyshohet se ka përndjekur të miturën, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.
Komente









