Astronomët kanë identifikuar një planet të përbërë nga lavë e shkrirë, çka do të thotë se mund të ekzistojë një kategori e re me planetë të lëngshëm, sipas studimit të publikuar në Nature Astronomy.

Planeti i largët, i njohur si L98-59d, është rreth 1.6 herë më i madh se Toka dhe rrotullohet rreth një ylli të vogël të kuq 35 vite drite larg. Astronomët fillimisht menduan se planeti mund të kishte një oqean të thellë me ujë por analiza e fundit sugjeron se ai mund të jetë plotësisht i ndryshëm nga gjithçka e njohur më parë.

“I gjithë planeti është në një gjendje të butë, të shkrirë,” tha Dr. Harrison Nicholls, astrofizikant në Universitetin e Oksfordit. “Është si melasë. Ka shumë gjasa që edhe bërthama e këtij planeti të jetë e shkrirë.”

Temperaturat në sipërfaqe arrijnë rreth 1,900°C, ndërsa dallgë të mëdha mund të krijohen mbi oqeanin e magmës për shkak të forcave të baticës nga planetët fqinj dhe mendohet se mund të ketë erë vezësh të prishura për shkak të atmosferës së pasur me sulfit hidrogjeni. Këto kushte nuk mendohet se mund të favorizojnë jetesën.

“Nëse ka jashtëtokësorë që mund të jetojnë në lavë, kjo do të ishte e mahnitshme, por nuk mendoj se është e mundshme që të jetë e banueshme,” tha Nicholls.

Planetët jashtë sistemit tonë diellor janë shumë larg për t’u fotografuar ose arritur me anije kozmike robotike, dhe deri kohët e fundit astronomët mund të bënin vetëm vlerësime të përafërta të madhësisë, dendësisë dhe temperaturës duke ndjekur siluetën e planetëve kur kalonin përpara yllit të tyre. Megjithatë, teleskopi hapësinor James Webb është mjaft i fuqishëm për të matur dritën e yllit të filtruar nga atmosfera e planetit dhe për të treguar se cilat gazra janë të pranishme në atmosferën e tij.

Më parë, vëzhgimet treguan se L98-59d ka një atmosferë të pasur me squfur që nuk përputhet me kategoritë e zakonshme të të qenit një planet me ujë ose shkëmbor. Në asnjë rast, nuk do të ishte në gjendje të ruante një atmosferë squfuri për pothuajse 5 miliardë vjet, kohë prej së cilës ekziston planeti.

Duke përdorur simulime kompjuterike të avancuara, studimi i fundit rindërtoi historinë e planetit që nga pak pas lindjes së tij deri në ditët e sotme. Kjo sugjeron se L98-59d ka një oqean magme që shtrihet mijëra kilometra nën sipërfaqe dhe ndoshta një bërthamë të shkrirë.

“Ky planet mund të shpjegohet vetëm nëse ka një oqean magme nën të”, tha Nicholls. “Oqeani i magmës ruan me efikasitet gazrat dhe i mban të mbrojtura nga proceset fizike që do t’i largonin.”

Për shkencëtarët, ky zbulim tregon se planetët e shkrirë mund të jenë të zakonshëm dhe astronomët duhet të jenë të kujdesshëm në vlerësimin e ekzoplanetëve si hapësira ku mund të ketë jetë.