Një 32-vjeçar shqiptar, është arrestuar nga policia italiane në Reggio Emilia, pasi rezulton i  dënuar me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.

Mediat italiane shkruajnë se në qershor 2024, policia italiane i gjeti në shtëpi një sasi rreth 2.5 kilogramë kokainë, e cila ishte ndarë në pesë çanta shpine dhe një shumë e konsiderueshme prej 22,000 eurosh në një çantë shpine.

Ndërkohë, në  dollapin sipër sobës së kuzhinës, u gjet gjithçka e nevojshme për paketimin dhe peshimin e dozave, duke përfshirë 35 qese plastike, një rrotull plastike transparente për një makinë vakumi, një rrotull celofan transparent, dy peshore elektronike precize dhe dy telefona celularë .

Pas 2 muajsh e 20 ditësh, i riu shqiptar arriti të merrte masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa dënimi me pesë vjet burgim i dhënë nga gjyqtari i seancës paraprake të Reggio Emilia-s në 29 maj, u bë i formës së prerë dy javë më parë, më 30 shtator.

Pas zbritjes së periudhës së paraburgimit, shqiptari do të duhet të vuajë një dënim të mbetur prej 4 vitesh e 2 muaj burg.

Më 11 tetor, Zyra e Zbatimit të Krimeve në Prokurorinë e Reggio Emilia-s lëshoi ​​urdhrin për arrestimin e tij.

Urdhri u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga karabinierët e stacionit Quattro Castella, ku jeton shqiptari.