FIER - Policia jep detaje nga arrestimi i 35-vjeçarit, Antonio Bregu, mbrëmjen e djeshme në Fier, teksa udhëtonte me një automjet "Range Rover". Policia njofton se Bregut iu gjetën në makinë 70 mijë euro, ndërsa ishte në gjendje të dehur. Mësohet se ai ka qenë i dënuar në Itali dhe Zvicër për trafik droge. Përpara policisë, i riu nuk ka justifikuar dot shumën e eurove që kishte me vete, të cilat dyshohet se vinin pikërisht nga veprimtari kriminale dhe për rrjedhojë janë sekuestruar.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin:
Antonio Bregu, 35 vjeç, banues në Fier, pasi:
Në lagjen "Kastriot" Fier, është kapur nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin tip "Range Rover” në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit të mjetit, këtij shtetasi ju gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 70 000 Euro të cilat dyshohet se vijnë nga veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të metejshme për veprat penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale", dhe "Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi". (Shtetasi Antonio Bregu ka qënë i dënuar në Itali dhe Zvicër për trafikim të lëndëve narkotike. Para 2 vjetësh ka dalë nga burgu në Zvicër).