40-vjeçari Orges Dumitru (Kacmoli), i dënuar në Itali me 11 vite e 1 muaj burg, është arrestuar në Durrës, me qëllim ekstradimin në vendin fqinj.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 40-vjeçari është dënuar në vendin fqinj për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi dhe mbajtja e dokumenteve të rreme”.

Nga dënimi, atij i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 15 ditë burgim. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, kanë nisur procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.

Njoftimi i Policisë:

Durrës-Finalizohet operacioni i koduar “Wanted 36”, për kapjen e një shtetasi ndërkombëtar.  

I dënuar në Itali, me 11 vjet e 1 muaj burgim, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 40-vjeçari.   

Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit i DVP Durrës, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, operacionin e koduar “Ëanted 36”.          

Si rezultat i operacionit, u kap në lagjen nr. 12, Durrës, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi O. D. alias O. K., 40 vjeç.    

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Venecias, Itali, e ka dënuar me 11 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi dhe mbajtja e dokumenteve të rreme”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 15 ditë burgim.      

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.