I dërguari i Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara presin që faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas të zbatohet dhe njoftoi se do të vizitojë Lindjen e Mesme javën e ardhshme.
Zoti Witkoff i bëri komentet në një intervistë për televizionin CNN pasi u pyet për vendimin e Izraelit për të shtyrë lirimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë dhe se çfarë ndikimi parashikonte që të kishin zhvilimet në rajon tek armëpushimi.
“Duhet të kemi një zgjatje të fazës së parë," tha zoti Witkoff.
![]()
"Unë do të shkoj në rajon këtë javë, ndoshta të mërkurën, për të negociuar një gjë të tillë."
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli nuk do t’i dorëzonte 620 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë "derisa të sigurohej lirimi i pengjeve të radhës dhe një gjë e tillë të bëhej pa ceremoni poshtëruese".
Hamasi dorëzoi gjashtë pengje nga Gaza të shtunën. Disa pengje izraelite dhe të burgosur e të paraburgosur palestinezë janë liruar si pjesë e një armëpushimi trefazor në Gazë që hyri në fuqi pak para se zoti Trump të merrte detyrën më 20 janar.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut i ka përshkruar si shqetësuese pamjet e pengjeve izraelitë dhe të të burgosurve palestinezë të liruar, të cilët ishin tej mase të dobësuar, duke thënë se ato pasqyrojnë kushtet e rënda në të cilat ata mbaheshin.
Zyrtarët palestinezë kanë përmendur lidhjen e syve dhe të duarve të të burgosurve palestinezë dhe paralajmërimet kundër festimeve për lirimin e tyre si shembuj të poshtërimit të tyre nga autoritetet izraelite.
Izraeli përmend si prova të poshtërimit të pengjeve faktin që Hamasi i detyron ata të dalin para turmave dhe ndonjëherë të flasin para se t'i kthehen Izraelit, si edhe faktin që arkivolet me eshtra pengjesh qarkullohen mes turmave.
Zoti Witkoff i tha CNN-it se zoti Netanyahu kishte "synime të mira" dhe se Hamasi nuk mund të vazhdojë të qeverisë Gazën.
Sulmi ushtarak i Izraelit në Gazë, ka shkakuar vdekjen e më shumë se 48,000 palestinezëve që nga tetori i vitit 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk dallon mes luftëtarëve dhe civilëve, si edhe ka sjellë si rezultat akuza për gjenocid dhe krime lufte që Izraeli i mohon.
Sulmi zhvendosi pothuajse të gjithë popullsinë e Gazës dhe shkaktoi një krizë urie.
Gjakderdhja e fundit në konfliktin izraelito-palestinez dhjetëvjeçar filloi pasi 7 tetorit 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas njoftimeve izraelite.
Vetë zoti Trump ka ngjallur reagim ndërkombëtar lidhur propozimin e tij për të marrë kontrollin e Gazës dhe për të zhvendosur përgjithmonë palestinezët e enklavës. Ekspertët e të drejtave dhe Kombet e Bashkuara e kanë quajtur atë një propozim për spastrim etnik./ VOA
Komente

