Policia e Durrësit ka arrestuar një 61-vjeçar i cili akuzohet për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike"dhe "Drejtim i automjetve në mënyrë të parregullt".

Burime nga blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se 61-vjeçari me inicialet E.Z., ka tentuar të korruptojë me 50 mijë lekë të vjetra efektivët e policisë që mos t’i bëjnë testin e alkoolit.

Por policia, ka vendosur t’i bëjë testin 61-vjeçarit i cili ka rezultuar i dehur në masën 0.77 mg/l.

Njoftimi i Policisë
Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe tentoi të korruptonte punonjësin e policisë duke i ofruar një shumë parash për ti shpëtuar  arrestimit, por vihet në pranga 61 vjeçari. Në vijim të kontrolleve për parandalimin e aksidenteve rrugore, Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës falë edhe  bashkëpunimit me qytetarët që kanë njoftuar se një mjet kryente manorva të rrezikshme në rrugë, në vendin e quajtur “Plepa”, kanë identifikuar dhe ndaluar  automjetin tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin  E.Z.

Drejtuesi i mjetit i ka ofruar 5000 lekë të rinj punonjësit të policisë për të mos i bërë testin e alkoolit, por punonjësi i Policisë ka kryer testet e alkoolit konform procedurës ku ka rezultuar se ky shtetas drejtonte mjetin në gjëndje të dehur në masën 0.77 mg/l. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë shoqëruar shtetasin E.Z, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve të para nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z, 61 vjeç, banues në lagjen Nr.14 Durrës, për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike"dhe "Drejtim i automjetve në mënyrë të parregullt". Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.