LUZ (KAVAJË) - Prej tre ditësh shtetasi Astrit Xeka, 42 vjeç,i kërkonte falje kryetarit të këshillit të Komunës së Luzit, pasi hodhi granadën me siguresë të hequr në këmbët e tij. Por denoncimi në polici ishte bërë.
Sot në orët e para të paradites, Xeka është vënë në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe prishje të qetësisë publike. Pas denoncimit që ishte bërë nga autoritetet e këshillit komunar të Luzit, ditën e sotme, ai pretendonte të kalonte në kufirin grek. Por, nuk ka mundur, është vënë në prangat e policisë.
Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në komunën Luz të Kavajës, ku këshilltarët e majtë, nuk kanë miratuar buxhetin. Në Luz të Kavajës kanë ndryshuar raportet. Kreun e komunës e mban përfaqësuesi i PD, ndërsa kryetari i këshillit të Komunës është i PS. Madje të majtët, kanë edhe shumicën në këshillin e komunës, në raportin 9 me 8 këshilltarë.

(aq/shqiptarja.com)