Një 45-vjeçar në kërkim nga policia prej dy vitesh është prangosur në Vlorë. Policia njofton se në kuadër të operacionit "Ndëshkimi i "të fortëve" është arrestuar Gazmir Mehmetaj lindur në Treblovë dhe banues në Vlorë, në kërkim për trafik narkotikësh.
Sipas policisë, ai akuzohet për një ngjarje të vitit 2013 ku është konstatuar një sasi kanabisi në Lagunën e Vilunit, ndërsa urdhër arresti është lëshuar në 2017. Emri i Gazmir Mehmetajt lidhet edhe me një sasi prej 840 kg drogë, e gjetur nga policia e Vlorës e braktisur në gadishullin e Karaburunit në vitin 2017, që kishte destinacion Italinë.
Në qershor të 2017 u arrestuan Andrea Çaushi, Andi Mita, Kasëm Piluri dhe Altin Rramolli. Nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet ndaj 15 personave të tjerë, që dyshohet se ishin të implikuar në këtë trafik droge, mes tyre edhe Gazmir Mehmetaj.