TIRANË - Në një dëshmi jashtë betimit para gjykatës, shqiptari i kthyer nga Siria Edmond Spataraku ka rënduar pozitën e një prej 9 imamëve të vënë në akuzë për rekrutimin e luftëtarëve për xhihad (luftë në emër të Allahut).
 
Në seancën e mbajtur këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, 23-vjeçari nga Elbasani ka deklaruar se është shoqëruar për në Siri nga Gerti Pashja, imami i Xhamisë së Elbasanit, aty ku besimtari mysliman është njohur me hoxhën.  
 
Spataraku tregoi para trupës gjyqësore se ka qenë dy herë në Siri ku është trajnuar për luftë për gjashtë muaj. Ai tha se për luftimet që ka bërë nuk ka marrë asnjë lekë. “E ndjeva si detyrim të ndihmoja vëllezërit myslimanë”, tha ai.
 
spataraku

Ai ka refuzuar të bëjë betimin për vërtetësinë e dëshmisë së tij para gjykatës duke thënë se betohet vetëm para Allahut.
 
Spataraku nuk pranoi të bëjë një koment për mediat dhe teksa la ambjentet e gjykatës shoqërohej nga një tjetër besimtar i veshur me bluzen ku shkruhej: Jam krenar që jam musliman.

Seanca e rradhës u shty për të martën e ardhshme ku pritet që sërish të dëshmojnë personat e kërkuar nga prokuroria, ndërsa vetë të pandehurit kanë mohuar sërish akuzat duke deklaruar se gjyqi i tyre bëhet për shkak të besimit që ata ndjekin.

Një seancë më parë ishte Zamir Mani që dëshmoi se djali i tij është dërguar në Siri nga Genci Balla nëpërmjet ish bashkëshortes së Manit.

Gjyqi ndaj imamëve të vetëshpallur të vënë nën akuzë për rekrutimin e luftëtarëve drejt Sirisë ka qenë i vështirë për shkak se nuk pranojnë të mbrohen nga avokatë. “Na mbron Allahu”, - kanë deklaruar ata në seancat e mëparshme.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)