TIRANE-I kërkuan seks dhe lekë për t'i kthyer fuoristradën ‘’Range Rover’’ shoferes në Tiranë, prokuroria e posaçme dhe SHÇBA arrestojnë dy efektivët e rrugores.

ReportTv mëson se të arrestuarit janë Laurenc Duda dhe Henrik Zelija të cilët mbrëmjen e djeshme rreth orës 11:00 janë ndaluar në zbatim të urdhrit të prokurorit Behar Dibra. Ky hetim daton disa muaj më parë pas referimeve dhe ankesës së bërë nga shoferja e cila sa herë paraqitej për të marrë mjetin i nxirrej një pengesë nga dy policët.

Henrik Zelija rezulton se ka mbajtur detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, ndërsa eprori i tij ka qenë Laurenc Duda shef seksioni për verifikimin e shkeljeve administrative.

Makina është bllokuar në shtator të 2019 si provë materiale e një ngjarje të ndodhur dhe prej asokohe edhe pse duhej të kthehej ky mjet, dy oficerët kanë refuzuar. SPAK bën me dije se ‘’janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv’’. Ky është rasti i parë kur SPAK që pas krijimit vë në pranga zyrtarë si në këtë rast policë për afera seksuale dhe korrupsioni.