Është ndarë nga jeta ditën e hënë, në moshën 93-vjeçare, historiani i njohur dhe kërkuesi Hajredin Isufi.
Lajmin e kanë njoftuar familjarët e tij përmes rrjeteve sociale. Historiani ishte lindur më 24 dhjetor 1932 në Rrëzanj të Gumenicës dhe ishte një nga zërat më të rëndësishëm të kujtesës historike çame.
Pas diplomimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ai iu përkushtua arsimit dhe, që prej vitit 1964, kërkimit e studimit të historisë së Çamërisë.
I mbijetuar i gjenocidit të Çamërisë dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i saj, ai ia kushtoi jetën dokumentimit të historisë, vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Përmes një pune të gjatë kërkimore, përkushtimit dhe pasionit të tij, Hajredin Isufi la pas një kontribut të çmuar në historiografinë shqiptare dhe veçanërisht në dokumentimin e historisë dhe të çështjes çame.
Ndër veprat e tij spikasin "Çështja çame dhe integrimi evropian”, “Çamëria, studime historike-sociologjike shek.XIII-XX” dhe vepra tjetër “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902- 1940.”
Komente
Komento