TIRANË- Prokuroria e Posaçme i miratoi kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit lejen disa orëshe për të marrë pjesë në ceremoninë mortorë të gjyshes së tij, e cila ka ndërruar jetë një ditë më parë.

Beleri ka mbërritur në ceremoninë mortore i shoqëruar nga dhjetëra efektivë policie të cilët kishin marrë masa të shumta për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ceremonisë mortore gjatë momentit të mbëritjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. 

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet një numër i lartë efektivësh të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që blinduan zonën, derisa Beleri u largua nga ceremonia mortore e gjyshes së tij. Në momentin kur Beleri largohet i shoqëruar nga dhjetëra efektivë, duke mos iu hequr në ansjë moment prangat nga njëra prej dorës së tij, qytetarët e pranishëm ofendojnë dhe hedhin lule ndaj efektivëve. Madje pati edhe një moment kur një person goditi me gur makinën e policisë.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Bashkisë së Himarës ndodhet i arrestuar për korrupsion në zgjedhje. Ai ka kërkuar disa here leje te posaçme për tu betuar si kryebashkiak por kërkesa i është refuzuar nga prokuroria, pasi një leje e tillë nuk parashikohet në ligj. 

Leje e posaçme jepet vetëm për raste vdekjesh, arsye shëndetësore dhe provime.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:24
Beleri u nis drejt qelisë pas ceremonisë mortore të gjyshes së tij në Himarë, një person gjuan me gur makinën e policisë

 

Përveç fyerjeve dhe ofendimeve kundrejt efektivëve që shoqëronin Fredi Belerin në ceremoninë mortore të gjyshes së tij, në një moment njëri prej të pranishmëve ka qëlluar me gurë makinën e policisë. 

Në pamjet e transmetuara nga Report Tv, makina e policisë goditet me gur sapo niset për të transportuar Belerin sërish në qeli. 

Ndërsa gjatë gjithë ceremonisë mortore gjatë kohës që ishte i pranishëm Beleri pati edhe këngë nacionaliste të kënduara nga të pranishmit që hodhën edhe buqeta me lule e sende të tjera ndaj efektivëve. 

Ora 16:46
Beleri në ceremoninë mortore të gjyshes së tij, të pranishmit ofendojnë dhe hedhin buqetat e luleve ndaj policëve që e shoqërojnë

 

Nuk kanë munguar as tensionet gjatë ceremonisë mortore për gjyshen e Fredi Belerit ku edhe ky i fundit ishte i pranishëm i rrethuar nga forca të shumta policie. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, dëgjohet teksa dhjetëra persona të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë mortore ofendojnë policët që shoqëronin Belerin dhe u kërkojnë ta lirojnë.

Madje në një moment shihet teksa hidhen sende të ndryshme buqeta lulesh ndaj efektivëve të policisë. Ndërsa Beleri po shoqërohej nga policia për t’u larguar nga ceremonia, u kënduan edhe këngë nacionaliste.

Ora 16:24
Me pranga në duar, i rrethuar nga dhjetëra efektivë Fredi Beleri mbërrin në cermoninë mortore të gjyshes në Himarë!

 

Kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri ka mbërritur në Himarë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të gjyshes së tij.

Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Report Tv, Beleri është i rrethuar nga efektivë të shumtë dhe njërën dorë e ka në pranga me dorën tjetër të efektivit të policisë.

Në momentin e mbërritjes së tij, dhjetëra persona të pranishëm në ceremoninë mortore kanë thirrur emrin e tij dhe i kanë bërë thirrje policisë ta lirojnë. Vigjilenca e efektivëve ka qenë tepër e lartë.

Ora 15:26
Beleri mori leje për të shkuar në ceremoninë mortore të gjyshes së ndjerë, FNSH ‘blindon’ Himarën

 

Fredi Beleri fituesi i zgjedhjeve për bashkinë e Himarës ka marrë leje këtë të dielë për të qenë i pranishëm në ceremoninë mortore të gjyshes së tij të ndierë. Leja i është aprovuar teksa pritet nga momenti në moment të mbërrijë në varrezat e Himarës ku do të bëhet edhe përciellja për në banesën e fundit.

Për këtë ngjarje, Himara është blinduar nga forca të shumta policie si dhe FNSH. Dhjetëra efektivë janë të pranishëm për të garantuar sigurinë përgjatë ceremonisë mortore.