TEPELENE - Karrocat me kuaj po kthehen në një makth për drejtuesit e automjeteve në autostradën Tepelenë -Levan.

Burrë e grua kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme, pasi motoçikleta me të cilin udhëtonin është përplasur më një karrocë me kuaj.

Policia ka ndaluar drejtuesin e karrocës, i cili është shtetasi Fejzi Troka 57 vjeç, banues në fshatin Kafaraj të komunës Frakulll në Fier, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelje të Rregullave të qarkullimit Rrugor”.

Sipas policisë, ky shtetas në rrugën nacionale Tepelenë- Levan në afërsi të fshatit Kafaraj, ka qenë duke drejtuar një karrocë me kafshë në anën e djathtë të rrugës me drejtim për Levan dhe është përplasur më një motoçikletë të markës “YAMAHA” pa targa, që drejtohej nga shtetasi Njazi Meçaj, 46 vjeç, banues në Selenicë të Vlorës. Në momentin e aksidentit ai ka qenë duke udhëtuar me bashkëshorten e tij A. Meçaj vjeç 48.

Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i dëmtuar rëndë 46 vjeçari nga Selenica së bashku me bashkëshorten e tij.

Ai ka marrë mjekimin e parë në spitalin Rajonal te Fierit dhe me pas si rezultat i gjendjes së tij të rëndë shëndetësore u dërgua në spitalin ushtarak Tiranë, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë dëmtime me të lehta dhe është shtruar në spitalin e Fierit dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që karrocat duke mos pasur nënkalime, janë kthyer në burim aksidentesh të cilat fatmirësisht deri në këto momente nuk kanë rezultuar fatale.

(eb/Shqiptarja.com)