Privatizimi i ish-furrës së bukës, Ahmetaj reagon nga arratia: Tentojnë të ndërtojnë tek unë 'delen e zezë'! SPAK vrull politik, ‘skenari’ ndaj meje si film horror

Ish zv-kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar nga arratia pasi SPAK e ka marrë sërish si të pandehur për shpërdorim detyre për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës në Tiranë.

Ahmetaj e quan përpjekje për ta baltosur atë, nga segmente të financuara nga inceneratorët.

“Aktet e fundit të botuara nga media kanë vërtetuar atë qe unë kam thënë, se ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë "delen e zezë", përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë.”- shkruan Ahmetaj.

Jep shpjegimin e tij për dosjen, duke thënë se jo vetëm që nuk i ka shkaktuar dëm shtetit, por ka mbrojtur aksionet e tij (shtetit).

“Ish-pronarët e njërës prej aseteve të asaj kompanie, kanë kundërshtuar vlerësimin e pavarur të aksioneve të kompanisë. Vlerësuesit e pavarur, në bazë të ligjit, kanë bërë vleresimin, që nuk i ka kënaqur ish-pronarët e njërit prej aseteve të kompanisë. Nëse do të realizohej ajo që kërkonin ish-pronarët, aksionet e shtetit do të reduktoheshin me herë. Pra në thelb, duke u zbatuar ligji, janë mbrojtur aksionet e shtetit. Merreni dosjen, lexojeni, gjeni nëse ka një shkresë të vetme në kundërshtim me ligjin; mos bini në kurthin e “kokës së vërtetë” të teatrit absurd dhe tejet të rrezikshëm”- shkruan Ahmetaj.

Edhe veprimet e SPAK, i quan vrull politik, duke paralajmëruar se do të flasë.

“Koka e vërtetë e zezë” ia ka dalë...përkohësisht. Vrulli politik i SPAK s’besoj t’i ketë shpëtuar syrit të publikut. Përndjekja ekzemplare e stilit të vjetër, ngarkuar me urrejtje personale të përfolur dhe nëpër tryeza politiko-drejtësie, përtej akteve, i ka kaluar dhe imagjinatat e filmave horror. Goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi. Detajet për këtë dosje e të tjerat, në një kohë të shpejtë.”-shkruan ish-ministri.

Reagimi i plotë i Ahmetajt

Në lidhje me lajmin që qarkullon, nuk e di sa e vërtetë është, por nuk do të habitesha aspak në vazhdën e përndjekjes së organizuar në tashmë gati një vit e gjysëm e më shumë.

 Faktet e fundit të botuara nga media kanë vërtetuar atë qe unë kam thënë, se ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë "delen e zezë", përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë.

Nëse lajmi është i vërtetë, atëherë kjo do të ishte kundërshtia juridike më e madhe. Ju sfidoj miqësisht ju të medias ta merrni dosjen dhe ta “shkalafisni” në detaje.

Cili është thelbi i asaj dosje?

Ish-pronarët e njërës prej aseteve të asaj kompanie, kanë kundërshtuar vlerësimin e pavarur të aksioneve të kompanisë. Vlerësuesit e pavarur, në bazë të ligjit, kanë bërë vleresimin, që nuk i ka kënaqur ish-pronarët e njërit prej aseteve të kompanisë. Nëse do të realizohej ajo që kërkonin ish-pronarët, aksionet e shtetit do të reduktoheshin me herë. Pra në thelb, duke u zbatuar ligji, janë mbrojtur aksionet e shtetit.

Nuk habitem më nga asgjë. Që nga "faktet" e fabrikuara nga inceneratorët se kam harxhuar kaq e aq në këtë e atë kazino, apo ku di unë, deri tek përndjekja familjare dhe inkuizitive që më bëhet. Nuk e di nëse kjo që ka dalë si lajm është e vërtetë, por ju sfidoj sërish: merreni dosjen, lexojeni, gjeni nëse ka një shkresë të vetme në kundërshtim me ligjin; mos bini në kurthin e “kokës së vertetë” të teatrit absurd dhe tejet të rrezikshëm. Dhe pasi ta keni lexuar dhe analizuar, dilni në konkluzion se çfarë po ndodh vërtet sot me drejtësinë dhe tregojani publikut, jo për hatrin tim, po të tyre, se më mirë vonë se kurrë.

 Imagjinoni për një sekond sikur të kishte ndodhur e kundërta: të ishin reduktuar me herë aksionet e shtetit (automatikisht vlera e marrë në buxhetin e shtetit)???

“Koka e vërtetë e zezë” ia ka dalë...përkohësisht.

Vrulli politik i SPAK s’besoj t’i ketë shpëtuar syrit të publikut. Përndjekja ekzemplare e stilit të vjetër, ngarkuar me urrejtje personale të përfolur dhe nëpër tryeza politiko-drejtësie, përtej
fakteve, i ka kaluar dhe imagjinatat e filmave horror. Goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi.

Detajet për këtë dosje e të tjerat, në një kohë të shpejtë.

Ndoshta "të vërtetit" i duhet një zhurmë tjetër!

Arben Ahmetaj akuzohet në një dosje të dytë nga SPAK, kësaj here për për abuzime me privatizimin e ndërmarrjes “Buka Sh.a” në favor të biznesmenit Lirim Fezollari. Sipas prokurorisë, procedura e ndjekur nga ish-ministri i financave ka shkaktuar një dëm prej 700 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. Ish zëvendës kryeministri dhe ish drejtuesi i financave të shtetit ndodhet në arrati ndërsa është shpallur prej korrikut në kërkim ndërkombëtar.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë