Aktivistë nga një grup i pacientëve që kanë fituar luftën ndaj kancerit hodhën hi mbi komisionerin e BE-së për Shëndetësinë, në shenjë proteste kundër rregullave të reja të Evropës që lehtësojnë përdorimin e pesticideve.
Olivér Várhelyi ishte gati të mbante një fjalim në një samit për kancerin, ku do të fliste për punën e BE-së në luftën kundër kësaj sëmundjeje, kur dy protestues u ngjitën në skenë dhe hodhën mbi të një substancë gri, të ngjashme me pluhurin.
“Unë jam paciente me kancer; po protestoj kundër ligjit Omnibus”, tha njëra prej aktivisteve të grupit francez Cancer Colère. “Ky është hiri i njerëzve që ju do të vrisni me pesticidet”, tha një tjetër.
Njëra prej protestueseve ishte Fleur Breteau, shkrimtare dhe aktiviste franceze. Identiteti i protestuesit tjetër nuk u bë i ditur.
Komisioni Evropian e paraqiti paketën Omnibus si një mënyrë për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave të prapambetura për miratimin e pesticideve, me qëllim lehtësimin e punës së fermerëve. Megjithatë, kjo nismë kundërshtohet fuqishëm nga shumë organizata të shoqërisë civile.
Më shumë se 2.000 shkencëtarë kanë nënshkruar një letër ku kërkojnë që propozimi të pezullohet deri në përfundimin e një vlerësimi të pavarur të ndikimit të tij.
Organizata e konsumatorëve Foodëatch e ka çuar çështjen te Ombudsmani Evropian, duke e akuzuar Komisionin për keqadministrim, ndërsa organizatat joqeveritare kanë organizuar disa protesta.
Më shumë se 300 organizata joqeveritare, përfshirë organizata mjedisore, shoqata të bletarëve dhe grupe që përfaqësojnë viktimat e pesticideve, si dhe mjekë e shkencëtarë, nga 25 vende evropiane do të mblidhen jashtë Parlamentit Evropian në Strasburg, më 24 nëntor, në orën 14:00, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj paketës Omnibus.
Várhelyi e fshiu pluhurin nga vetja, duke shfaqur dukshëm pakënaqësinë e tij, dhe vazhdoi fjalimin sipas planit.
“Çfarë lloj njerëzish jeni ju?”, u shpreh ai. “Siç po thosha, mirëmëngjes. Jam pak i befasuar që, në emër të viktimave të kancerit, ata guxojnë të hedhin hirin e njerëzve që kanë ndërruar jetë.”
“Kjo është përtej çdo gjëje që mund të kishim imagjinuar. Ju kërkojmë ndjesë”, u tha të pranishmëve Elisabetta Zanon, drejtuese e Organizatës Evropiane të Kancerit.








Komente
Komento