Një student që mori fjalën nga podiumi, kundërshtoi platformën e propozuar sot nga grupi koordinues i protestës. Ai propozoi një tjetër formë të zhvillimit të protestës, ndërsa mikrofoni iu ndërpre disa herë nga personat që koordinojnë folësit.

“Ka 2 variante që diskutohen për zhvillimin e protestës. Njëri është protesta siç po vazhdojmë, dhe jam shumë dakord, është e bukur. Synimi nuk është vetëm të jetë e bukur, por edhe e suksesshme.

Më vjen keq, por shoh mendime se ky pushtet, ky regjim, nuk ikën me parrulla e brohoritje. Ka edhe ata që propozojnë dhunë. Nëse unë futem në Kryeministri dhe i vë flakën, ky institucion është vetëm një simbol, ai përsëri e ka pushtetin.

Unë do ta deklaroj të suksesshme këtë protestë kur policët të jenë me fytyrë nga Kryeministria, jo nga ne. Mos bini pre e idesë se Rama ikën vetëm me kaq. (I fikin mikrofonin.) Në Bullgari pati një vit protesta. Qeveria kishte vetëm 1 vit në pushtet, prandaj u rrëzua. Nuk ka ndodhur që një autokrat të dorëhiqet, autokrati hiqet. Këta janë të gjithë të lidhur me krimin. (I fikin mikrofonin.)

Shohim problematikat që kemi. Ky institucion është vetëm simbol. S'mund t'i mbështetemi BE-së, duhet ta marrim situatën vetë në dorë. As nuk mund ta lëmë fatin në dorë të SPAK-ut. Propozimi është, në radhë të parë, të kemi një kanal të përbashkët komunikimi. Jo kërkesa të tipit që të dalë njëri që Skënderbeu është heori ynë kombëtar, këtë e dimë të gjithë. Propozoj të krijojmë një program, të regjistrohemi si individë me fytyrë. Nuk kemi frikë”, tha i riu.


Lajmi kryesor:

Protesta/ Ritheksohen kërkesat drejtuar Ramës, askush nuk foli për platformën tjetër politike! Kritika nga podiumi për mënyrën e organizimit