I riu nga Elbasani, 5 mln lek gjobë 
gruas së kushëritit, për shaka

I riu nga Elbasani, 5 mln lek gjobë <br />gruas së kushëritit, për shaka
Një 23 vjeçar nga Elbasani, Ardi Boshnjaku i ka vendosur 5 milion lekë gjobë nuses së kushërit së tij që ndodhej në burg për drogë, duke u shkruar një letër anonime se nëse nuk dorëzonte lekët do të kishte probleme. Ndaj Boshnjakut tashmë janë mbyllur hetimet dhe se dosja ndaj tij është dërguar në gjykatë për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Ngjarja ka ndodhur në 19 mars 2015, në qytetin e Elbasanit, ku Ardi Boshnjaku ka kërcënuar me një letër “anonime” një të afërmen e tij për t’i dhënë 5 mln lekë të vjetra, pasi në të kundërt, shtetasja e kërcënuar do të kishte pasoja. Pa kryerjes së hetimeve fillestare, u arrit të provohej se autori i letrës anonime ishte shtetasi Boshnjaku, i cili, pas identifikimit dhe arrestimit të tij, deklaroi se “letrën e kishte shkruar për shaka”.

Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se kjo letër kërcënuese nuk ishte “një shaka”, për faktin se ai ka kryer të gjithë veprimet e nevojshme dhe ka qenë në pritje të posedimit të parave nga e afërmja e tij, pasi në letër i kishte dhënë edhe orientimet e nevojshme se ku do të dorëzohej shuma e parave. Hetimet ndaj të pandehurit u zhvilluan fillimisht në masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda. Por masa e sigurisë u zbut në “detyrim për paraqitje nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Sipas hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se mbrëmjen e datës 19  marsit 2015, shtetasja E.D, e cila përkohësisht jetonte vetëm me fëmijët, pasi bashkëshorti i saj ishte arrestuar për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, gjen në derën e shtëpisë së saj një letër.Në përmbajtje të kësaj letre, një person pa emër, i kërkonte të dorëzonte të nesërmen në markatën e qytetit të Elbasanit shumën prej 5 milionë lekëve të vjetra, pasi në të kundërt do të kishte pasoja. Gjithashtu, “letërshkruesi” i kërkon shtetases E.D. që të mos njoftojë policinë.

Kallëzimi dhe tregimi i fajit
E shqetësuar, shtetasja e kërcënuar komunikon me kunatën e saj, e martuar me shtetasin F. Boshnjaku. Ky i fundit i sugjeron që të shkojnë të bëjnë kallëzim në Policinë e Elbasanit, veprim i kryer rreth orës 23:00 të të njëjtës datë. Pas kallëzimit,shtetasi F. Boshnjaku kthehet në shtëpinë e tij, ku e presin bashkëshortja e tij dhe i biri, Ardi Boshnjaku, të cilët ishin në dijeni të letrës kërcënuese ndaj shtetases E.D. që prej disa orësh, të informuar nga vetë e kërcënuara. Shtetasi F. Boshnjaku i deklaron bashkëshortes dhe djalit të tij se, e kërcënuara E.D. kishte bërë kallëzim në Polici për ngjarjen.

Në këtë moment ka reaguar djali i tij, shtetasi Ardi Boshnjaku, i cili ka thënë se përse kanë bërë kallëzim, pasi letrën e kishte shkruar ai për shaka. Të gjendur në këto kushte, shtetasi F. Boshnjaku dhe bashkëshortja e tij shkojnë sërish në shtëpinë e të kërcënuarës E.D. për të sqaruar situatën, ndërsa djali i tyre largohet në drejtim të Tiranës, duke u strehuar tek halla e tij.
Kamerat e sigurisë e vetëdorëzimi

Ndërkohë, nga ana e Policisë, pasi është marrë kallëzimi, kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore, ndër të cilat edhe disa kamera sigurie në pallatin ku jetonte E.D., në të cilën dalloheshin qartë tiparet e personit që dyshohej se kishte lënë letrën kërcënuese. Nga ana e Policisë u kërkua në shtëpinë e tij shtetasi Ardi Boshnjaku, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, por nuk u gjet në apartament.

Me ndërhyrjen e familjarëve dhe hallës së tij në Tiranë, shtetasi Ardi Boshnjaku u vetëdorëzua në polici, ku deklaroi se letrën e kishte bërë për shaka. Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon shtetasin Ardi Boshnjaku për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, pasi i pandehuri ka kryer të gjitha veprimet për të marrë në dispozicion shumën e kërkuar në letër.


Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?



×

Lajmi i fundit

U kap me 3 kg kokainë në Angli, Prokuroria e Kukësit kërkon sekuestrimin e 3 pasurive të Fatjon Dautajt dhe familjarëve të tij

U kap me 3 kg kokainë në Angli, Prokuroria e Kukësit kërkon sekuestrimin e 3 pasurive të Fatjon Dautajt dhe familjarëve të tij