Claudio Marchisio, ish-futbollisti i Juventusit, në një intervistë për ‘tuttosport’ ka zbuluar një detaj interesant nga largimi i Poul Pogba-s drejt Manchester United. Ish-mesfushori ka deklaruar se e kishte paralajmëruar Pogba-n se po gabonte duke u larguar, për më shumë drejt ‘Premier League’.
Konkretisht Marchisio është shprehur: “Unë i thashë se po gabonte që po transferohej te Manchester United dhe nëse do largohej bënte mirë të shkonte në Spanjë. Kthimi i tij te Juventusi do të ishte jashtëzakonisht pozitiv, Poul do të rilindte në ambientin që e do dhe e përkedhel më shumë. Ai do t’i jepte shumë Juventusit, të cilit i duhet një si Pogba në mesin e fushës. Ai është një profesionist i shkëlqyer.”
Kjo intervistë e Marchisio-s vjen në një kohë kur po flitet shumë për rikthimin e Pogba-s te Juventusi, me francezin që po kryen fazën e riaftësimit pas dëmtimit që e mban larg fushave për një periudhë shumë të gjatë. Së fundmi në një video të publikuar në rrjetet sociale Pogba shihet teksa stërvitet me bluzën e Juventusit, konkretisht me atë të Matuidi-t, shokut të kombëtares që ditë më parë rezultoi pozitiv me koronavirus.

Komente

