I uli 2 vite burg Arben Grorit, ILD kërkon nga KLGJ shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit: Taulant Tafa ka kryer shkelje të rënda disiplinore, diskrediton figurën e gjyqtarit

I uli 2 vite burg Arben Grorit, ILD kërkon nga KLGJ shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit: Taulant Tafa ka kryer shkelje të rënda disiplinore, diskrediton figurën e gjyqtarit

Arben Grori

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit Taulant Tafës, pas uljes së dënimit të Arben Grorit, i cili kishte marrë dënim me burgim të përjetshëm. Sipas ILD-së, gjyqtari Taulant Tafa me veprime apo mosveprimet e tij, ka kryer shkelje shumë të rënda disiplinore të cilat diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Për këtë, i kërkohet KLGJ-së pranimi i kërkesës së ILD-së për caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për magjistratin Taulant Tafës.

'Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor me iniciativë të ankuesit, ndaj magjistratit T.T., me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkelje disiplinore të kryera, në gjykimin e kërkesës me objekt ulje dënimi për të dënuarin A.G., i dënuar me burgim të përjetshëm.

Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., rezulton se:

Janë konstatuar veprime/mosveprime të shprehura në dhënien e vendimit për uljen e dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin A.G, në kundërshtim me nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, duke i sjellë përfitim të padrejtë në uljen e dënimit dhe rritur fiktivisht kohën e vuajtjes së dënimit; moszbatim të kërkesave të nenit 383 të K.Pr.Penale, sa i takon parashtrimit të shtrembëruar të fakteve dhe rrethanave në mënyrë të dukshme në aktet e nxjerra, si dhe mungesë arsyetimi të vendimit, veprime këto të parashikuara si  shkelje disiplinore në nenin 102, pika 1, shkronja “dh” si dhe  nenin  102 pika 2,  shkronjat “b”  dhe  “c” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të nenit 63 të ligjit nr. 8328/1998, i ndryshuar.

ILD ka analizuar vendimmarrjen 4 vjecare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstaton, se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku 7 kërkesa janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore.

Veprimet/mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga ana e gjyqtarit kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë nga i dënuari A.G të uljes së dënimit në masën 720 ditë, si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia.

Veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Për sa më sipër, kërkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për magjistratin T.T., me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “dh” dhe neni 102 pika 2 germat “b” , “c”  të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.’- njofton ILD.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bobi: 20/04/2022 15:50

    Kreshnik Spahiu ku je a Mr degjon. Ec e mbroje edhe njehere gjyqtarin e skandaleve. Kete e larguan nga drejtesia por e riktheu Kreshniku i Aleances Kuqezi bashke me Bamke Qylollarin qe ishte kreu Kld

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë