Një 34-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë trafikuar një automjet luksoz me vlerë 250 mijë euro nga Gjermania në Shqipëri.

Mjeti tip “Mercedes-Benz AMG G63” është sekuestruar nga policia e Tiranës pas verifikimit ku rezultoi i vjedhur.

Policia po punon për kapjen e 34-vjeçarit, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë Tiranë.

Punohet për kapjen e 34-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit. 

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni i koduar “Stolen line”.  

Sekuestrohet 1 automjet me vlerë rreth 250 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.  

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 34-vjeçari që dyshohet se ka trafikuar automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen.  

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u sekuestrua 1 automjet tip “Mercedes-Benz AMG G63”, me vlerë rreth 250 000 euro, pasi nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.       

Nga veprimet hetimore u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 34 vjeç, i cili dyshohet se e ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri, me qëllim shitjen.    

Punohet për kapjen e 34-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.