Një 42-vjeçar në Durrës është arrestuar pasi dyshohet se vodhi orën e dorës së një shtetasi italian në një lokal në qytetin bregdetar, ndërsa identifikimi i tij u bë pas publikimit të videos së vjedhjes në rrjetet sociale.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 11 të Durrësit, në lokalin e shtetasit italian M. S., rezident në Shqipëri. Pamjet e momentit u publikuan në një portal ku shihej autori i dyshuar teksa merrte orën dhe largohej nga ambienti.

Pas publikimit të videos, Policia e Durrësit organizoi menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Sipas policisë, në pranga u vu 42 vjeçari me inicialet E.K, banues në Durrës. Gjatë veprimeve u gjet edhe ora e vjedhur, e cila iu kthye pronarit italian.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.