Një tjetër piroman është arrestuar ditën e sotme në lidhje me zjarrvëniet në vend që shkaktuan dëm të madh në florën dhe faunën e vendit. Për një nga vatrat e zjarrit të rënë në pyllin e Levanit në Gjirokastër, është arrestuar Sefer Rrapai, 28 vjeç, banues në fshatin Levan, Memaliaj.
Ky shtetas dyshohet se ka vendosur zjarr në pyllin e fshatit Levan dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.
Edhe një 57-vjeçare është arrestuar në Kukës, pasi i vuri zjarrin pyllit në fshatin Piskë, ndërsa janë në hetime dhe dy të mitur, të cilët pasi dogjën disa shkurre flakët iu dolën nga kontrolli duke djegur në sipërfaqe toke në fshatin Golaj.
Edhe në Dibër një person u vu sot nën hetim, pasi akuzohet ndezur zjarr e si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me barishte në Maqellarë.
Kodi Penal në fuqi parashikon një gamë ndëshkimesh deri në 20 vite burg për autorët e djegies së qëllimshme të pyjeve dhe bimësisë nga Jugu në Veri të Shqipërisë. Konkretisht, neni 206/a i Kodit Penal, ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe të çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale. Kur zjarrvënia është kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, nga pyll në kullotë, truall etj., parashikohet një dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet.
Një person është nën hetim në Dibër pasi akuzohet se i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke në Maqellarë. E. R., banues në Maqellarë, pasi dyshohet se në fshatin Kovashicë, ka ndezur zjarr e si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me barishte.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Një 57-vjeçare është arrestuar si autore e zjarrit të rënë në pyllin në fshatin Pistë. Sh. Sinani, 57 vjeçe, banuese në fshatin Pistë, dyshohet se ka vënë zjarr në pyllin në afërsi të banesës së saj, ku për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me lis dhe shkurre.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë dy shtetas të mitur J.R., dhe B.R., banues në fshatin Golaj, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", pasi në fshatin Golaj kanë ndezur zjarr. Si pasojë e erës së fortë zjarri u ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë dhe djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me lis dhe shkurre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.