Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë në Kosovë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Ndalimi erdhi pas një konflikti që nisi në rrjetet sociale, vijoi me pretendime për kërcënime dhe kulmoi mbrëmjen e së hënës në ambientet e Televizionit Dukagjini.

Gjithçka nisi pas një postimi në Facebook të gazetarit Lirim Mehmetaj për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, nipi i Gani Gecit. Në reagimin e tij, Mehmetaj e quajti deputetin "analfabet", pasi Fatos Geci kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi mbante përgjegjësi për mbi 200 vrasje.

Sipas Mehmetajt, pas publikimit të statusit ai u telefonua nga anëtarë të familjes Geci, të cilët i kërkuan ta fshinte postimin.

"Prej familjes Geci më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo", deklaroi ai.

Mehmetaj tregoi se më pas disa persona nga familja Geci shkuan edhe në zyrën e tij. Sipas gazetarit, atij iu kërkua sërish të hiqte ose të ndryshonte përmbajtjen e postimit, por ai nuk pranoi. Ai pretendon se gjatë takimit u kërcënua dhe se të nesërmen e denoncoi rastin në Policinë e Kosovës.

Ndërkohë, Gani Geci dha një version tjetër të ngjarjes. Në një postim në Facebook, ai pretendoi se, me ndërmjetësimin e deputetëve të LDK-së Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, ishte zhvilluar një takim mes familjes së tij dhe familjes Mehmetaj, ku palët ishin dakordësuar të mos merreshin më me njëra-tjetrën në publik, as në rrjetet sociale dhe as në televizione.

Pak më vonë, Mehmetaj reagoi duke publikuar sërish postimin për Fatos Gecin dhe shkroi se nuk do të hiqte "asnjë shkronjë" prej tij, duke këmbëngulur se përmbajtja ishte e vërtetë.

Tensioni u zhvendos mbrëmjen e së hënës në ambientet e RTV Dukagjini. Mehmetaj ishte i ftuar në emisionin "Debat Plus", ku po diskutonte me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.

Në fund të emisionit, moderatori Ermal Panduri e njoftoi gazetarin se jashtë televizionit ndodheshin persona nga familja Geci dhe se në oborr kishte mbërritur edhe Policia e Kosovës. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Gani Geci kishte shkuar në ambientet e televizionit ndërsa emisioni ishte ende në transmetim.

Pas incidentit, Geci u shoqërua nga policia dhe u intervistua në lidhje me kallëzimin për kanosje të bërë nga Mehmetaj. Më pas, prokurori i rastit vendosi ndalimin e tij për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes.

"Me 13.10.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ,,kanosje ’’ ndaj viktimës mashkull kosovar-gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48-orë”, thuhet në raportin e Policisë.

Familjarët e Gecit kanë dhënë një version tjetër të ngjarjes, duke pretenduar se ai ishte paraqitur vetë në polici për të dhënë sqarime dhe jo se ishte arrestuar në vendngjarje. Megjithatë, pas intervistimit, prokurori vendosi ndalimin e tij për 48 orë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë