Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në platformën e dialogut mbi Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat (National Single Window-NSW), një iniciativë e rëndësishme për modernizimin e procedurave doganore dhe lehtësimin e tregtisë në Shqipëri.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për biznesin dhe për procesin e integrimit europian të vendit, duke u shprehur se projekti i Dritares së Vetme Kombëtare “revolucionarizon mënyrën se si bizneset shqiptare kryejnë tregti”, përmes digjitalizimit të procedurave dhe reduktimit të burokracisë.
Ajo theksoi gjithashtu se Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, ka një rol të rëndësishëm si vend tranziti për rajonin dhe për rrjedhat tregtare drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, modernizimi i logjistikës dhe i procedurave administrative është thelbësor për të shfrytëzuar maksimalisht këtë potencial dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Implementimi i National Single Window është pjesë e projektit rajonal për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, i financuar nga Banka Botërore. Projekti synon modernizimin e procedurave doganore dhe përshpejtimin e lëvizjes së mallrave përmes digjitalizimit dhe koordinimit ndërinstitucional.
Platforma NSW parashikon krijimin e një sistemi të vetëm elektronik për paraqitjen dhe shkëmbimin e të dhënave të tregtisë ndërkombëtare, duke integruar institucionet që lëshojnë dokumente, leje dhe certifikata për procedurat e importit dhe eksportit. Në Shqipëri, sistemi do të menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe do të integrohet me platformën e-Albania, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është institucioni lider për zbatimin e tij.
Zbatimi i National Single Window synon të:
• thjeshtojë procedurat e tregtisë ndërkombëtare
• ulë kostot administrative për biznesin
• përshpejtojë procedurat e zhdoganimit
• përmirësojë koordinimin ndërinstitucional
• rrisë transparencën dhe integritetin në proceset doganore.
Ky sistem kontribuon gjithashtu në përafrimin e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian, duke mbështetur procesin e integrimit europian dhe duke rritur konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
National Single Window konsiderohet një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësimin e tregtisë në Shqipëri. Përmes këtij sistemi pritet:
• reduktimi i burokracisë dhe dokumentacionit
• përshpejtimi i procedurave të importit dhe eksportit
• rritja e parashikueshmërisë së proceseve tregtare
• ulja e kostove të transaksioneve për biznesin.
Këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve dhe integrimin e bizneseve shqiptare në zinxhirët europianë dhe globalë të furnizimit.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se përfituesit kryesorë të këtij projekti janë bizneset shqiptare, të cilat do të përfitojnë nga procedura më të shpejta, më transparente dhe më pak burokratike në proceset e tregtisë ndërkombëtare. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të koordinuar të këtij projekti në nivel rajonal, në mënyrë që lehtësimi i tregtisë të jetë efektiv në të gjitha pikat kufitare.
Aktiviteti shënoi një moment të rëndësishëm në avancimin e reformave për modernizimin e administratës doganore dhe për forcimin e partneritetit mes institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian të Shqipërisë.
Komente











