Ministrja Delina Ibrahimaj mori pjesë në konferencën “Eksport On”, ku prezantoi vizionin dhe politikat e qeverisë për nxitjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit vendas, si shtylla kyçe të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të prodhimit të brendshëm bruto, investimeve, punësimit dhe pagave, duke reflektuar një klimë pozitive për biznesin dhe sektorin privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje nevojën për transformimin e strukturës ekonomike, duke kaluar nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe konsum vendas, drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se, pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare në vitet e fundit, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit. Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur, se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas.

"Ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka ardhur në përmirësim. Ne kemi pasur një rritje të qëndrueshme të prodhimit të brendshëm bruto, rritje të qëndrueshme të investimeve, të numrit të bizneseve, të punësimit dhe të pagave. Të gjithë këta janë tregues të një klime biznesi që ka nxitur sektorin privat dhe ekonominë vendase.

Nga ana tjetër, nëse shohim strukturën e ekonomisë, ne vijojmë të mbetemi kryesisht një ekonomi e mbështetur në shërbime dhe në konsum vendas. Ne duam ta ndryshojmë modelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Duam të krijojmë potencial dhe të mbështesim një ekonomi që bazohet në investime, në eksporte dhe, mbi të gjitha, që shërben për rritjen e produktivitetit.

Po si do ta bëjmë këtë? Si është struktura e eksporteve sot? Në të vërtetë, eksportet shqiptare janë rritur në pesë vitet e fundit, por kemi parë një zhvendosje të strukturës. 85% e eksporteve përbëhen nga shërbimet, ku turizmi, siç e njihni dhe e ndjeni, po zë gjithmonë e më shumë peshë. Nga ana tjetër, pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim. Për hir të së vërtetës, eksportet e mallrave, si në vlerë ashtu edhe në vëllim, janë rritur në pesë vitet e fundit, por shërbimet janë rritur shumë më shpejt se mallrat. Për këtë arsye, ne jemi të kujdesshëm dhe synojmë të hartojmë politika që mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave, të lidhura drejtpërdrejt me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit", tha Ibrahimaj. 


Lajmi kryesor:

Platforma Export On/ Rama: Prodhimet ‘Made in Albania’ pasaportë për në BE, në mbështetje të eksportuesve! Lehtësi me burokracinë e doganave