Shqipëria vijon të konsolidojë politikat mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), duke shënuar progres të rëndësishëm në përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin e sipërmarrjes.

Kështu shprehet Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një postim në rrjetet e saj sociale, duke iu referuar raportit më të fundit të OECD-së, “SME Policy Index 2025”, i bërë publik sot.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka regjistruar përmirësim pozitiv në 5 nga 12 dimensionet e vlerësimit dhe ka ruajtur performancën në 5 dimensione të tjera, duke u renditur ndër ekonomitë lider në Ballkanin Perëndimor dhe Turqia, për krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e SME-ve.

Raporti vlerëson kryesisht progres të dukshëm veçanërisht në:

edukimin sipërmarrës dhe mbështetjen për sipërmarrjen e grave;

tranzicionin e gjelbër dhe mbështetjen ndaj SME-ve drejt një ekonomie të qëndrueshme.

Po ashtu në këtë raport vendi ynë vlerësohet për mjedisin operacional të favorshëm për biznesin dhe mbështetjen mbi standardet dhe rregulloret teknike.

Ky vlerësim konfirmon përkushtimin e institucioneve shqiptare për të forcuar më tej ekosistemin e sipërmarrjes, duke i dhënë prioritet inovacionit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.