Në kuadër të Konferencës së Fondacionit Konrad Adenauer dhe Alumni BBUG me temë “Shqipëria si vend biznesi – Perspektiva për kompanitë gjermane dhe partneriteti rajonal”, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, foli për progresin ekonomik të vendit dhe ato që ajo i cilësoi si mundësi në rritje për investitorët e huaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se Shqipëria ka kaluar një transformim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit, duke u shndërruar nga një ekonomi në tranzicion në një treg në rritje, të qëndrueshëm dhe konkurrues. Ajo nënvizoi se ekonomia shqiptare ka ruajtur një rritje mesatare prej rreth 4% në vit, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto është dyfishuar, nga 13.5 miliardë euro në mbi 26 miliardë euro.

Duke folur për investimet, Ibrahimaj tha se investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje të qëndrueshme, me stokun total që ka arritur rreth 17 miliardë euro dhe me hyrje vjetore mbi 1.5 miliardë euro në vitet e fundit, ç’ka dëshmon besimin në rritje të investitorëve ndërkombëtarë.

Ajo theksoi se fokusi i zhvillimit ekonomik është zhvendosur drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë, prodhimit për eksport dhe formalizimit të ekonomisë. Sipas saj, sektorë si energjia, turizmi, prodhimi dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu përmirësimet në tregun e punës, duke bërë të ditur se punësimi i deklaruar është rritur nga 47% në 66%, ndërsa pagat mesatare kanë arritur në rreth 83,000 lekë në muaj.

Në fjalën e saj, ajo u ndal edhe tek transformimi dixhital i shërbimeve publike, duke theksuar se mbi 1,200 shërbime tashmë ofrohen online, duke ulur kostot dhe kohën për qytetarët dhe bizneset dhe duke krijuar një mjedis më transparent dhe efikas.

Duke iu referuar bashkëpunimit me Gjermaninë, Ibrahimaj tha se mbi 440 kompani të lidhura me Gjermaninë operojnë aktualisht në Shqipëri, ndërsa stoku i investimeve gjermane ka arritur mbi 570 milionë euro në vitin 2025, duke reflektuar një partneritet të fortë dhe në rritje.

Ajo theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik, duke shtuar se rreth 67% e eksporteve shqiptare drejtohen drejt tregjeve të BE-së. Sipas saj, reformat në kuadër të këtij procesi po forcojnë konkurrencën, standardet dhe hapjen e tregut, duke krijuar një klimë më të sigurt për investitorët.

Në përfundim, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se Shqipëria ofron një kombinim të favorshëm të vendndodhjes strategjike, fuqisë punëtore të re, kostove konkurruese dhe politikave të orientuara drejt inovacionit, duke e bërë vendin një mundësi konkrete për kompanitë gjermane që synojnë të zgjerohen në rajon.