Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) ka lëshuar një masë sigurimi për Drejtorinë e Tatimeve shqiptare për të hequr pezullimin e llogarive bankare shqiptare të Bankers Petroleum Ltd si dhe për të mbrojtur shoqërinë ndaj zbatimit të vlerësimit të shpallur më parë për tatimin mbi fitimin në Shqipëri.

Vendimi vjen pasi Bankers Petroleum Ltd dërgoi në Gjykatën e Arbitrazhit vendimin e Drejtorisë së Tatimeve për bllokimin e llogarive bankare të kësaj kompanie, me pretendimin se i detyrohet shtetit shqiptar 75 milionë dollarë nga shmangia e taksave.

Masa e sigurisë e IÇ-së mbështet trajtimin e pavarur të procesit në përputhje me parimet e zbatueshme ndërkombëtare. Procesi i auditimit ndërkombëtar për kostot e rikuperueshme nga pala e tretë vazhdon në përputhje me Termat e Referencës të nënshkruara 25 shtator 2015 me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

“Bazuar në marrëdhënien tonë të fortë njëmbëdhjetë vjeçare me Qeverinë Shqiptare, si investitori i huaj direkt dhe taksapaguesi më i madh në Shqipëri, ne presim bashkëpunim të plotë në përputhje me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit të IÇ-së dhe procesin e auditimit mbi kostot e rikuperueshme nga pala e tretë ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë të Bankers.

Më 19 nëntor 2015,  Drejtoria e Tatimeve shqiptare pezulloi përdorimin e llogarive bankare shqiptare të Bankers në një përpjekje për të mbledhur një shumë prej 75 milionë dollarë, e rritur nga vlerësimi i mëparshëm i deklaruar prej 57 milionë dollarësh për shkak të interesave dhe gjobave të përllogaritura.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)