Idrizi: Jo varreza greke në Shqipëri 
pa nderuar viktimat e gjenocidit grek

Idrizi: Jo varreza greke në Shqipëri <br />pa nderuar viktimat e gjenocidit grek
Është përkujtuar pasditen e së premtes me datë 24 qershor në Kllogjer, 72-vjetori i gjenocidit grek mbi popullësinë e Çamërisë. Shoqata  ‘Çamëria’ dhe PDIU në varrezat e Kllogjerit në fshatin Xarrë të Sarandës kanë vendosur kurora në kujtim të atyre që humbën jetën. Nga Kllogjeri, kreu i PDIU-së theksoi se nuk do të ketë varreza greke në Shqipëri, nëse nuk nderohen viktimat e gjenocidit grek. Gjithashtu ai kërkoi ngritjen e një monumenti në kujtim të të pafajshmëve që humbën jetën.

“Ju lutem mundësisht na varrosni aty ku kemi lindur. Ndaj ne sot i themi qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke: Nderimi për të vdekurit duhet të jetë njëlloj, pavarësisht se ne e dimë shumë mirë që këta fëmijë, gra e burra, ishin trëndafilat e çamërisë, kurse ushtarët grekë ishin pushtues. Nuk mund të ketë varreza greke në tokën tonë, nëse nuk nderohen viktimat e genocidit grek në vatrat e tyre amtare! Ne duam minimalisht një monument për viktimat e pafajshme. Midis tyre ka shumë foshnja, të cilët sot nëse do të ishin gjallë, do të ishin në moshën e babait tim. Me siguri dhe ato do të donin të ishin këtu bashkë me ne sot dhe t’ju tregonim rrugën për në Çamëri. Por fatkeqësisht nuk është e mundur, se ju u pretë jetën në mes, e ne do t’i përjetësojmë në këtë monument, i cili është monumenti i kujtesës” u shpreh Idrizi. 
 
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh gjithashtu  se po përmbushet simbolikisht dëshira atyre që pritën në diell, për t’u kthyer në Çamëri. 

“U përpoqëm të përmbushnim simbolikisht një dëshirë të këtyre motrave, vëllezërve, nënave dhe baballarëve tanë që prehen në Kllogjer. Ata ishin nisur për në Shqipëri, përkohësisht. Me dëshirën e madhe për t’u kthyer në vatrat e tyre amtare. Por dielli i fortë i qershorit, vuajtjet, dhimbjet epike për humbjet e të afërmve, sëmundjet e luftës dhe të paqes, trajtimi çnjerëzor i atij që duhet të ishte vendi amë, ja prenë në mes ëndrrën, shpresën dhe jetën. Kjo varrezë ka brenda mesazhin e përjetësisë, por jo vetëm. Ajo flet shumë me të gjallët që kalojnë kufirin në të dy drejtimet. Grekëve i kujton sa herë që hyjnë në tokën tonë, se çfarë krimesh kanë bërë paraardhësit e tyre dhe pse duhet të na kërkojnë falje. Shqiptarëve i kujton amanetin e atyre që gjinden këtu: E donim Shqipërinë, ndaj na përzunë”, tha Shpëtim Idrizi.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet bëri publike nismën për regjistrimin e pronave dhe shqiptarëve të Çamërisë që kanë humbur jetën.

“Shumë shpejt, miqtë e mi, ne do të fillojmë të grumbullojmë nëpërmjet një portali on-line, të gjitha provat, dëshmitë, faktet mbi humbjet njerëzore, materiale, pronësore të të gjithë shqiptarëve në Greqi. Kjo do të na shërbejë për të bërë gjyqin e të vërtetës përballë atyre që bënë këtë genocid”, tha Idrizi.

Ndërsa kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Abaz Hado, tha se gjenocidi i ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë duhet të pranohet edhe nga Greqia.

“Gjenocidi i shtetit grek ndaj popullsisë çame ka qënë i tmerrshëm. Ne si Shoqatë “Çamëria”, nuk do të rreshtin kurrë së kërkuari të drejtat tona. Greqia nuk mund të mohojë ekzistencën e çamëve, por mbi të gjitha genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, tha Abaz Hado.

Deputetja Mesila Doda në fjalën e saj pas homazheve tha se: ''Kjo nuk ëshë një çështje që i takon vetëm shqiptarëve të Çamërisë, nuk është një entitet më vete. Kjo është një çështje që na takon të gjithëve personalisht. I takon shqiptarëve të Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe gjithë shqiptarëve të tjerë. Të gjithë kanë një marrëdhënie të pambyllur me të kalurën, ashtu siç e kishim edhe me genocidin që u bë ndaj Kosovës. Nëse nuk kuptojmë që kjo është një çështje që na përket të gjithëve, atëherë ne nuk do të mund të ecim përpara në këtë kauzë, që është e jashtzakonshme''.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com) 


 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i PD në burg, reagon Basha: Pazari i ndyrë Rama-Berisha, merr vulën, jep Salianjin! Nuk mbulohet me mashtrime e lëpirje

Deputeti i PD në burg, reagon Basha: Pazari i ndyrë Rama-Berisha, merr vulën, jep Salianjin! Nuk mbulohet me mashtrime e lëpirje