TIRANE - Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi, i ka qëndruar reagimit zyrtar të partisë së tij, përsa i përket prezencës së Gejxh dhe deklaratave të patriarkut Irenej. Për “Shqiptarja.com” Idrizi thekson se i qëndron replikës me Irinejn, ku PDIU nënvizon se objektet e kultit, për të cilat foli Patriarku, më së shumti janë ndërtuar nga shqiptarët ortodoksë në Kosovë.

Ndërsa prezenca e Gejxh në meshën e shenjtërimit të Katedrales në Tiranë, është fyerje për kombin shqiptar. Në reagimin e PDIU, i cili ka ardhur në momentin e rikthimit të Idrizit në Shqipëri thuhet: “Jemi të habitur pamë se i ishte rezervuar një vend nderi gjatë meshimit antishqiptarit Nikollas Gejxh, në krah të Vasil Bollanos. Kushdo nga organizatorët që mendon se Gejxh dhe Bollano përfaqësojnë ortodoksët shqiptar tregon se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët që janë më shumë se 90% e ortodoksëve në vend. Ata duhet të përgjigjen se me çfarë cilësie është ftuar Gejxh, i cili nuk njihet si figurë fetare, veçse si figurë antishqiptare. Kjo është një fyerje e rëndë që i bëhet kombit tonë dhe në veçanti ortodoksëve”.

Ndërsa deklaratat e Patriarkut Serb Irinej cilësohet se nuk janë thjesht një provokim në zemër të Tiranës, por mbi të gjitha janë mashtrime.

“Ai, i dehur nga një historiografi nacionaliste, që paraardhësit e tij e qepën me kujdes, deklaroi nga Shqipëria se objektet e kultit në Kosovë janë pjesë e identietit serb. Bëhet fjalë për ato objekte kulti, të fesë ortodokse, që në masë janë të ndërtuara nga shqiptarët ortodoksë para dhe gjatë mesjetës. Ato mbeten një dëshmi e patjetërsueshme e shqiptarësisë së Kosovës, po aq sa çdo element tjetër i kësaj krahine” thekohet në deklaratën e PDIU-së. Ndërsa vetë Idrizi nuk pranon ti shtojë më shumë këtij qëndrimi zyrtar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)