TIRANË, 27 Qershor/ATSH/.- Në kujtim të 70-vjetorit të genocidit grek ndaj popullisë çame, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet organizoi të premten në mbrëmje një tubim të madh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi duke shprehur bindjen në drejtësinë europiane, tha se në këtë hapësirë lirie shqiptarët e Çamërisë do e gëzojmë të drejtën e tyre.
"Të gjithë bashkë, shumë shpejt, ne do t'i kthehemi vatrës sonë e do t'i gëzojmë pasuritë e prindërve tanë, se ato janë tonat. Sot është koha të zgjidhim çështjen çame dhe shumë shpejt do të vijë ora e Çamërisë", u shpreh Idrizi.

PDIU, vijoi ai, e do bashkimin kombëtar, si projektin e madh që i bashkon shqiptarët. Ne e duam Shqipërinë brenda Europës dhe ne do e sinkronizojmë bashkimin kombëtar dhe kohën tonë me kohën e Europës.
Ne, theksoi kreu i PDIU-së, do të bëjmë drejtësi europiane dhe drejtësi perëndimore dhe do të ndërtojmë reciprocitetin e vërtetë brenda familjes europiane."Jam i bindur se Shqipëria nuk do të hyjë e fundit në radhë në Europë, por ajo do hyjë me vlerat e shqiptarëve, me kulturë, traditë e histori. Ne nuk mund të hyjmë si vasalë, ndaj partia jonë e ka trimëruar politikën shqiptare, se ne mund të mos japim shumë çka, por ne kemi detyrimin t'i japim shqiptarëve të paktën dinjitetin, që ata të mbrojnë jetët e tyre me dinjitet", u shpreh kreu i PDIU-së në tubimin e sotëm.
Në përshëndetjen e tij, kreu i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti, ndër të tjera tha se kombi sot përveç se histori e kulturë, gjuhë e traditë është politikë e ekonomi.
"Edhe Kosova e Shqipëria, bashkimin e kombit nuk duhet ta shohin vetëm në rrafshin e gjuhës e kulturës, por dhe politikave ekonomike e institucionale. Ne jemi mbledhur sot këtu sepse nuk refuzojmë të harrojmë. Ne nuk lejojmë të zbehet kujtesa e të rrudhet përfytyrimi që kemi për veten. Ne e duam lirinë për të qënë të barabartë me kombet e tjera, por nuk mund të lejojmë të jemi të shtypur nga të tjerët", u shpreh Kurti.
Ai tha se "çështja çame është pjesë e tërësisë dhe ka nevoje për vëmendjen e të gjithë neve, pavarësisht prej nga vijmë në trojet tona në Ballkan". /a.s/./a.g/