Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) ka paralajmëruar se gjashtë qarqe të vendit do të jenë të rrezikuara gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme nga zjarret.

IGJEUM njofton se qarqet ku pritet rrezik i lartë për përhapjen e zjarreve janë Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri dhe Berati. Ndërkohë sipas Institutit, në qarqet e tjera të vendit pritet një nivel rreziku nga zjarret më i ulët.

Në disa zona të veçanta (lokale) rreziku pritet të jetë i lartë, konkretisht në jug të qarkut Shkodër, në perëndim të qarkut Dibër dhe në veri-perëndim të qarkut Vlorë. Sipas ekspertëve, niveli më i lartë i rrezikut pritet gjatë ditës së sotme.

Sa i përket kushteve atmosferike, gjatë pasdites së sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë. Reshje lokale të dobëta mund të ketë edhe në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Elbasan.

Temperaturat nesër pritet të variojnë nga 20 deri në 31 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 17 deri në 35 gradë Celsius në zonat e ulëta dhe nga 14 deri në 30 gradë Celsius në zonat malore.

Ndërkohë era pritet të fryjë me intensitet të lehtë deri në mesatar gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Nga ana tjetër, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht në zonat më të rrezikuara.