TIRANE- Deputeti demokrat Igli Cara doli hapur dje kundër politikave që po ndjek Partia Demokratike duke iu bashkuar grupit “ndryshe” brenda Partisë. Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, të cilën ia detikoj plotësisht ish kolegut të tij Sokol Olldashi, Cara theksoi se PD-ja ka nevojë për një politikë ndryshe nga aktualja duke mbështetur projektin që kishte Olldashi. “Sokoli, ka pasur kurajon, si pak nga ne, të pranonte përgjegjësitë individuale dhe kolektive politike, e bëri gjatë fushatës zgjedhore brenda PD në korrik të këtij viti e bëri dhe pak ditë më parë në kuvend duke i treguar gjithë politikës shqiptare që ka ardh koha për një qëndrim ndryshe ndaj votës e votuesve, demokracisë dhe politikës. Politika ka nevojë të rikonceptohet e për më tepër opozita jonë të rimodelohet.

Ky ishte projekti i njeriut që Astrit Patozi e quajti fenomen e që ndoshta unë sot dua ta quaj misionar”, - theksoi deputeti Igli Cara. Kjo lëvizje kundër politikave që po ndjek kryetari i PD-së u lançua fillimisht nga ana e ish deputetit Sokoll Olldashi, e cila u pasua nga ana e Astrit Patozit, Mesila Doda, të cilët dolën hapur kundër vendimeve të kryetarit Basha. Pavarësisht këtyre, edhe disa individë të tjerë brenda Partisë Demokratike shfaqën disa kundërshti ndaj kryetarit të ri, por që nuk e shprehën hapur.
Por krahas kritikave që Cara lëshoi në drejtim të opozitës, ai shprehu edhe disa mëri për Bashën dhe Berishën të cilët ishin pjesë e fjalës së tij në foltoren e Kuvendit.

Konkretisht, deputeti Cara, theksoi se Sokol Olldashi do ti mungojë të gjithë politikës shqiptare duke përfshirë këtu edhe Bashën e Berishën, pohoim ky që u pasua nga ironia se ai do ti mungojë edhe atyrë që duhet ti kërkonin të falur për pabesitë që i ishin bërë. “Koli, miku ynë, do i mungojë Partisë Demokratike. Basha e Berisha kanë humbur një bashkëpunëtor, nga më të mirët e 20 viteve. E djathta shqiptare ka humb zërin më të fortë që e përfaqësonte. Ne miqtë dhe shokët e tij kemi humbur njeriun që na frymëzonte. Koli, miku ynë, do i mungojë dhe të gjithë atyre që me 20 nëntor duhet t’i kërkonin falje e ndjesë për pabesitë dhe shpirtvogëlsitë, të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë mbijetese dhe se në këtë botë.. shpesh të bukur e shpesh të ngatërruar shpirtrat lindin të shitur!”, - pohoi deputeti demokrat Cara.
 
Doda vrerë ndaj Bashës dhe PD-së. “Ju jeni fajtorë”
Pjesë e revoltës ndaj kreut të PD-së si edhe ndaj deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike ishte edhe deputetja Mesila Dode. Në fjalën e saj të mbajtur dje në Kuvend, Dode akuzoi direkt të gjithë anëtarët e PD-së që nuk e mbështetën atë në garën për kreun e PD-së duke theksuar se ai ishte lideri që i duhej Partisë Demokratike. “Unë dhe Sokoli kemi përballur së bashku betejat elektorale në të njëjtin qark, në qarkun më të vështirë në Shqipëri për ne demokratët, Fieri. Kemi punuar bashkë çdo ditë për të shëndoshur një strukturë partiake e cila po barte dita-ditës shenjat e një lodhje pushteti.

Sokoli ishte i mrekulluar nga ajo që shqiptarët bënë duke mbushur sheshet pa komanda, pa urdhra partiakë, pa sforcime njerzore për një kauzë që ata e mendonin të drejtë. Ju kishit faj! Kishit faj kur e latë Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike më militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjith faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj”,- theksoi deputetja Doda.

 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)