ITALI - E ardhmja e Igli Tares duket e lëkundur te Milani. Sipas gazetarit Nicolo Schira, te klubi kuqezi nuk janë shumë të bindur me punën e Drejtorit Sportiv aktual në dy sesionet e fundit të merkatos dhe mund ta largojnë në fund të sezonit.

Nicolo Schira foli për mundësinë e shkarkimit të Igli Tares nga Milani duke zbuluar në të njëjtën kohë edhe emrin e kandidatit që mund ta zëvendësojë shqiptarin në postin e tij. Bëhet fjalë për Toni D’Amico që është aktualisht në rolin e Drejtorit Sportiv tek Atalanta, ndërkohë që ka punuar më parë edhe te Verona.

"E ardhmja e drejtorit sportiv Igli Tare te AC Milan është vërtet në dyshim, Tony Damico është ende një kandidat i fortë si zëvendësim", shkruan gazetari Nicolo Schira.

Në radhë të parë do të duhet të kuptohet se çfarë do të ndodhë me Igli Taren që kaloi te Milani në 2025 duke nënshkruar me kuqezinjtë një kontratë deri në vitin 2027. Milani e ka thuajse të sigurt një vend në Champions League dhe merkato në hyrje dhe dalje nuk ka qenë e keqe, ndaj zërat për një largim të Tares nuk duhet të merren aq seriozisht, të paktën jo për momentin.