ITALI - Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka preferuar të mos komentojë mbi të ardhmen e tij dhe të trajnerit Massimiliano Allegri, duke theksuar se prioritet mbetet arritja e objektivave sezonalë.
Në një prononcim për DAZN para sfidës së fituar 0-1 kundër Veronës, Tare u shpreh se nuk është momenti për të diskutuar mbi të ardhmen.
"Allegri? Nuk ka kuptim të flasim për këtë situatë tani. Duhet ta përqendrojmë të gjithë energjinë tonë te qëllimi ynë, që është Champions League. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer këtë sezon, ka një kontratë të gjatë me Milanin dhe i pëlqen të planifikojë përpara", tha Tare.
Nga ana tjetër, edhe vetë Massimiliano Allegri theksoi pak ditë më parë rëndësinë e një projekti të qëndrueshëm, duke vënë në dukje se ndërtimi i një skuadre konkurruese kërkon kohë, analizë dhe planifikim të kujdesshëm.
Tare pranoi se rezultatet ndikojnë drejtpërdrejt në vlerësimin e të gjithëve brenda klubit.
“Kur nuk marrim rezultate, atëherë të gjithë vihen në dyshim. Jemi të vetëdijshëm për këtë", tha drejtori shqiptar.
Në fund, drejtori sportiv nënvizoi se vetëm pas përmbushjes së objektivave, drejtuesit e klubit, përfshirë Zlatan Ibrahimovic dhe administratorin Giorgio Furlani, do të ulen për të hartuar strategjinë për sezonin e ardhshëm, me synimin për të ndërtuar një projekt fitues dhe afatgjatë.
Komente











