ITALI - Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka hedhur dritë mbi arsyet pse klubi kuqezi vendosi të mos vazhdojë me transferimin e Jean-Philippe Mateta nga Crystal Palace. Në një prononcim për DAZN, pak para ndeshjes të fituar 0-3 kundër Bolognas, Tare sqaroi se negociatat u ndërprenë pas zbulimit të një problemi fizik te lojtari.
“Shtimi i Matetas ishte një investim për të ardhmen, jo për të tashmen. Gjatë bisedimeve pamë se ekzistonte mundësia për ta realizuar marrëveshjen dhe u përpoqëm ta çonim përpara. Megjithatë, gjatë vizitave mjekësore u evidentua një problem fizik, çka na shtyu të ndalonim gjithçka”, deklaroi Tare.
Numri një i merkatos së Milanit shtoi se situata mund të rishikohet në të ardhmen, duke lënë të hapur derën për zhvillime të reja.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë më tej”, përfundoi ai.
Komente






