Ikën Naço, Manjani ministër 
Drejtësie: Reformë me opozitën

Ikën Naço, Manjani ministër <br />Drejtësie: Reformë me opozitën
TIRANË - Ylli Manjani do të jetë ministri i ri i Drejtësisë, i cili u zgjodh nga aleatët në qeverisje Rama-Meta pas dorëheqjes që dha sot nga ky post Nasip Naço. Ky lajm u konfirmua nga kryeministria pasi shefi i mazhorancës Rama pranoi dorëheqjen e Naços përmes një letre ku jepte si motiv për këtë vendim të tijin nevojën për një bashkëpunim në nviel më të lartë mes të gjithë aktorëve për reformën në drejtësi.
 
Në  njoftimin e dërguar nga zyra e shtypit të Kryeministrisë thuhet se kandidatura e Manjanit është vlerësuar nga kryetari i LSI-së Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama gjatë takimeve intensive që zhvilluan këtë të hënë fill pas dorëheqjes së Naços. Po ashtu bëhet me dije se vetë kryeministri ka diskutuar me zotin Manjani për përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar.  Mes dy aletëve në qeverisje Rama-Meta është rënë dakord se nenkryetari i LSI-se Ylli Manjani është “kandidatura më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit”.
 
Tashmë pritet që Presidenti Nishani të dekretojë propozimin e Manjanit për të kaluar më pas në votim në Parlament që do të shënojë zyrtarisht marrjen e detyrës së ministrit të Drejtësisë.

Më herët kryetari i LSI mblodhi në një takim Petrit Vasilin dhe Ylli Manjanin. 

Ora 19:15 Letra e dorëheqjes së Nasip Naços
I nderuar z. Kryeministër,
 
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, por duke qenë i bindur se Reforma në Drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë.
 
Duke shpresuar që  në çdo rast  ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë,
 
Ju uroj suksese në përmbushjen e obligimeve tuaja si Kryeministër,
 
Me konsideratë , Ministri Nasip Naco

Ora 18:00 Manjani: I nderuar per sfiden e re
Në një intervistë për Shqiptarja.com menjëherë pas propozimit për ministër të Drejtësisë, Ylli Manjani tha së është i ndërgjegjshëm për sfidën që i është vënë para, kur vendi ynë tashmë ka ndërmarrë hapat për realizimin e reformës në drejtësi, kyçe për integrimin në BE. Nënkryetari i LSI-së thotë se në këtë proces nuk mund të ecet pa kontributin e të gjithë aktorëve e veçanërisht të opozitës. 

"Flasim për reformimin e shtetit dhe jo të pushtetit dhe si të tillë kemi nevojë absolutisht për diskutime, debate dhe vendime konsuensual e për këtë çështje. Flasim për shtetin që do të funksionojë në jetë të jetëve nuk po flasim për pushtetin që ndryshohet sipas vullnetit të zgjedhësve. Kur them shtetin kam parasysh gjykatat më së pari por në përgjithësi e gjithë klima dhe institucionet që japin drejtësi në këtë vend. E ka të nevojshme kontributin e opozitës politike dhe pjesëmarrjen e çdo njeriu, faktori, juristi dhe jo vetëm për të dhënë kontributin e vet dhe ne për këtë proces kemi qenë gjithmonë dhe do të mbetemi", tha Manjani.

Ora 17:30 Takimi Rama-Meta: Manjani kandidatura më e përshtatshme
Dy aleatët kryesore të koalicionit qeverisës, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë rënë dakord që Ylli Manjani të jetë kandidati për t’u emëruar ministër i ri i Drejtësisë. Pas takimit Rama-Meta Manjani është cilësuar si “kandidatura më e përshtatshme për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit”.

“Kryeministri Edi Rama pranoi sot dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë në ekipin qeverisës. Më pas Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Pasi ra dakord me Metën, Rama ka zhvilluar një takim me Manjanin në kryeministri ku ka diskutuar me të përfshirjen në kabinetin qeveritar.

“Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit”, thuhet në komunikatën për shtyp të Kryeministrisë.

Kryeministri, Edi Rama pas takimit me Manjanit ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës dhe tashmë pritet dekretimi i emrit të tij për të kaluar më pas në votim në Parlament që do të shënojë zyrtarisht marrjen e detyrës.

Takimet intensive pas dorëheqjes së Naços
Pak para dorëheqjes që Naco dha në mesditë, ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu ishte i pranishëm në kryesinë e Kuvendit, e fill pas këtij takimi kryeparlamentari ju drejtua kryeministrisë. Dorëheqja e Naços solli takime intensive. Kreu i LSI-së Meta pas bisedës me shefin e mazhorancës Rama, mblodhi në hotel Rogner nënkryetarin e LSI-së Ylli Manjani dhe kreun e grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili. Nga kjo bisedë është shkëputur i pari Manjani i cili ju drejtua kryeministrisë për një takim me kryeministrin Rama.

Ai nuk përjashtoi mundësinë që të zë postin e ministrit të Drejtësisë, dhe theksoi se drejtimin e këtij dikasteri do ta mbajë LSI-ja. Ndërkohë kryeparlamentari Meta tha se dorëheqja e Nasip Naços është kontribut për një nivel të ri të kërkuar prej kohësh për të çuar para reformat.



Ora 16:00 Meta: Akti i doreheqjes kontribut ne nje bashkepunim te gjere te kerkuar prej kohesh
Pas takimit ne Rogner me Manjanin dhe Vasilin, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se  e vlerëson dorëheqjen e ministrit Naço, si akt të përgjegjshëm dhe një kontribut për të ndihmuar në një nivel më të ri për të çuar përpara reforma të rëndësishme siç është ajo në drejtësi.

"Më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së ministrit të drejtësisë Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave po njekohesisht ai ka gjykuar se me këtë akt ai jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohesh dhe më të gjerë dhe në një nivel më të ri për të çuar perpara reformat dhe sidomos atë në drejtësi. Besoj se emri i ri që do të propozojë kryeministri do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë dhe më të ri", - tha Meta. 

I pyetur nëse ministri i ri i Drejtësisë mund të jetë nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani, Meta tha: "Nuk dua të shprehem më shumë dhe nuk do vi më tek "Rogneri" të pi kafe se e kam të pamundur që të dal pa iu përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu".

Aleati në qeverisje i Edi Ramës, kreu i LSI-së Meta la pa përgjigje pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë lëvizje të tjera të ministrave



Prononcimi i plote i Metes pyetje-pergjigje
 
Z. Naço dha dorëheqjen si Ministër i Drejtësisë. Kush do të jetë pasuesi i tij?
Lidhur me pyetjen tuaj, më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit te Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt,  ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë.
 
ilir meta

Kur thoni se duhet çuar përpara reforma, me këtë po zbardhni një pjesë të letrës së z. Naço? Burime tona flasin se z. Nasip Naço është shprehur se është i përjashtuar nga reforma në drejtësi. Është anashkaluar si institucion por dhe si individ...
Unë nuk e di. Ju mund t’i drejtoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e z. Naço. Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij dhe natyrisht që besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri
 
Do të vijë nga LSI? A është z. Manjani?
Nuk dua të shpreh më shumë dhe nuk do të vij më tek Rogneri të pi kafe sepse e kam të pamundur që të dal pa ju përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu.
 
A do të ketë lëvizje të tjera nga LSI në kabinet apo ministra të tjerë?
Besoj se jua dhashë një përgjigje. Ju falënderoj për vëmendjen. 

Ora 15:30 Manjani: Ministri i ri nga LSI, kushdo qe merret me politike duhet te jete i gatshem
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Manjani nuk përjashton mundësinë që të jetë ai zëvendësuesi i Nasip Naços në postin e ministrit të Drejtësisë. I pyetur nga gazetarët se a do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e Ministrisë të Drejtësisë Manjani u shpreh: Kushdo që merret me politikë duhet të jetë i gatshëm. 

Manjani tha se nuk do të ndryshojë formula politike, pra edhe ministri i ri i Drejtësisë do të vijë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nuk dihet ende se kush do të jetë pasuesi i Nasip Naços në postin e ministrit të Drejtësisë.

Kohët e fundit ka qenë i "ndezur" debati për ndryshimet në qeveri. Rama është shprehur kundër ndryshimeve në kabinetin qeveritar, por ishte kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ai i cili shprehu i pari se ka nevojë për "impluse të reja", çka në media u përkhtye si kërkesë e Metës për ndryshime të ministrave. Por vetë kryeparlamentari Meta sqaroi më tej se "impulset e reja" nuk janë kërkesë për emra të rinj ministrash, por për rezultate më të mira të qeverisë.

Dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço vjen në një moment kyç për dikasterin që ai drejton, pasi Shqipëria në këto momente po ndërmerr një nga reformat kyçe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian, siç është ajo në drejtësi. 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal