Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD paraqiti të hënën më 27 tetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP, kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Sarandës, Besiana Sadikaj, për shkelje të rregullave e solemniteit të sjelljes në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administratës. Po ashtu, u kërkua caktimi i masës disiplinore vërejtje publike, kërkime që u kundërshtuan nga prokurorja Sadikaj e cili dha shpjegime për rastet për të cilat ngrihen pretendime.
Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj, ka filluar bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, i cili shkarkua në gusht nga detyra prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për probleme të pasurisë dhe cënimin e besimit. Po ashtu, edhe Sadikaj depozitoi gjashtë ankesa ndaj Llahos, bazuar në të cilat KLP caktoi më parë dy masa disiplinore ndaj tij.
Përfaqësuesja e ILD-së, parashtroi të hënën se prokurorja Sadikaj rezulton se ka kryer veprime në kundërshtim me standartet e etikës, që konsiderohen sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia në marrëdhënie me drejtuesin dhe personelin e administratës.
Sipas ILD-së, sjellja dhe veprimet e prokurores Sadikaj, janë kryer me dashje direkte dhe kanë sjellë si pasojë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, si dhe cenim të besimit të publikut te drejtësia.
“Fakti se kjo sjellje është kryer në zyrën e drejtuesit të prokurorisë, si dhe në zyrat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre oficerë të policisë gjyqësore, pra brenda ambientit ku prokurorja ushtron funksionin, ekziston rreziku që të ndiqet edhe nga magjistratë të tjerë të së njëjtës zyrë prokurorie apo dhe më gjerë, pasi brenda së njëjtës godinë ndodhet edhe gjykata, çfarë nënkupton rëndësinë thelbësore që ka sjellja e magjistratit jo vetëm në ambientet e prokurorisë, por dhe jashtë saj”, vlerëson ILD.
Megjithatë, duke konsideruar faktin se shkelja është kryer për herë të parë, si dhe përvojën e pakët në funksion, prej dy vitesh, ILD konkludon se veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Sadikaj, përbëjnë “Shkelje të lehtë disiplinore”.
ILD argumenton se qëllimi thelbësor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrja e masave aktive për edukimin e magjistratit. Me rëndësi për caktimin e masës disiplonote, ILD konsideron dhe parandalimin e Sadikajt për kryerjen e veprimeve të tilla, si dhe parandalimin e përgjithshëm, që magjistratët e tjerë të kuptojnë, se një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.
Në përfundim, ILD i kërkoi këshillit pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores Besiana Sadikaj dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Vërejtje publike”.
Në përgjigje të pyetjevetë anëtarëve të KLP-së, lidhur me rrethanat e parashtruara, përfaqësuesja e ILD-së argumentoi se prokurori nuk mund të hyjë në zyrën e drejtuesit si ti dojë qefi.
Prokurorja besiana Sadikaj u shpreh se nuk kishte hyrë si i donte qefi, por se kishte qëndruar në korridor dhe kishte trokitur. Sipas saj, duket qartë dhe në pamjet e regjistruara, se kishte qenë drejtuesi që i ishte kthyer me tone agresive. Sadikaj shtoi se drejtuesi kishte fotokopjuar gjithë materialet që ajo kishte punuar për një vit e gjysëm dhe ia kishte sjellë ILD-së.
Një prej anëtarëve të KLP-së e pyeti përfaqësuesen e ILD-së se, nëse duhej të thirreshin 11 anëtarët e këshillit për të shqyrtuar një situatë që përbëhej nga vetëm 15 sekonda. Përfaqësuesja e ILD-së shpjegoi s, megjithëse diskutimet mes subjektit dhe drejtuesit janë vetëm 15 sekonda, bëhet fjalë për dy momente: mënyrën se si ka hyrë në zyrën e drejtuesit dhe shpërfilljen e titullarit.
Në vijim, ajo parashtroi se pjesa tjetër ka të bëjë me rregullat e administrimit të dosjeve, pasi në momentin që përfundon hetimet, prokurori nuk ka më punë.
Prokurorja Sadikaj u pyt lidhur me rrethanat e kontrollit të saj në një kompjuter të një hetuesi. Ajo shpjegoi se bëhej fjalë për një të dhënë sekrete, për një përgjim ambiental, që kishte dalë dhe në kompjuterin e hetuesit.
Sadikaj pohoi se u kishte kërkuar hetuese nëse mund të kontrollonte për diçka në kompjuter dhe se ata kanë qenë dakord dhe e kanë lejuar. Ajo parashtroi se më vonë ishte vërtetuar se bëhej fjalë për një gabim teknik dhe rpandaj nuk kishte bërë kallëzim për këtë rast.
Seanca dëgjimore për kërkesën e ILD-së ndaj prokurores Sadikaj u shty për më datë 4 nëntor, në orën 10:00./ BIRN
Komente










Kjo prokurore me sa kam degjuar ne Sarande ka bere shume zullume fut njerez te pafajshem ne burg dhe nxjerr Kriminelat nga burgu besoj i ka ardhur koha te japi llogari per te gjitha zullumet qe ka bere ne kete kohe kaq te shkurter. Kam degjuar qe merr dhe 50.000€ ne dosje turp ti vij se eshte dhe e re ne profesion. Ska drejtesi ketu ti fshi nga sistemi njeher e mire keta lloj njerzish pa inegritet.
PërgjigjuKete prokurore e njoh personalisht, ka qene te universiteti ufo, studente me mesatare 5-6, nje njeri arrogante dhe manipuluese kur ka punuar avokate, kushedi sa zullume ben tani qe eshte bere prokurore, nuk ma do mendja te qendroj gjate ne prokurori sepse eshte e pa afte per te bere ate pune , nuk e luptoj si me mesataren 5 e kane bere prokurore kete njeri, me keta njerez nuk besoj se do kete drejtesi… i uroj ta heqin sa me shpejt nga puna sepse do marri njerez te pafajshem ne qafe.
Përgjigju