ILDKP,Brace:Prokuroria presion
banditesk për 14 000 dosjet

ILDKP,Brace:Prokuroria presion<br />banditesk për 14 000 dosjet
Erion Braçe i ftuar në emisionin 45 minuta të gazetarit Denis Minga në Report Tv është shprehur se Prokuroria po i bën presion ILDKPKI, për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi.
 
Sipas Braçes Prokuroria kërkon të marrë të gjithë serverin me 14 mijë dosje kur ruhen të dhënat dhe deklaratat e pasurive të të gjithë zyrtarëve të lartë përfshi ato të vetë prokurorëve dhe gjyqtarëve.
 
Deputeti socialist e quajti banditesk presionin e prokurorisë ndaj ILDKPKI ndërsa i bëri thirrje edhe njëherë gjykatës kushtetuese të zhbllokojë ligjin e Vettingut që do pastrojë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar dhe te inkriminuar.
 
I pyetur për çështjen e koalicionit në zgjedhjet e 2017 Braçe tha se PS është e qartë për vazhdimin e këtij koalicioni me LSI dhe PDIU ndërsa është në pritje të qëndrimit të LSI.
 
Gjithashtu deputeti socialist u prononcua dhe për qëndrimin e Berishës në mbrojtje të marrëveshjes antikushtetuese të detit duke theksuar se Berisha po kërkon mbështetjen e Athinës për të ardhur në pushtet.

Marrëveshja e detit, dje në Kuvend Berisha e mbrojti dhe i sugjeroi Greqisë ta çojë në arbitrazh, çfarë po ndodh?
Dje u cenua integriteti kombëtar, marrëveshja e Berishës dhe Bashës me fqinjët ishte një marrëveshje që cenoi interesat kombëtare. Gjykata Kushtetuese ka mbajtur një qëndrim të qartë. Nëse Berisha u mundua të ndante Tiranën nga Prishtina dje e shtyu më tutje. Marrëveshja është antikombëtare, reagimi i Berishës ndaj Kushtetueses në atë kohë ishte antikombëtare dhe deklarimi i tij ku orienton Greqinë të kërkojë territor shqiptar në arbitarazh është antikombëtarizëm i shumëfishtë. Mos prisni që Berisha të lëvizë nga interesat e veta për interesa kombëtare. Berisha mendon se me këto akrobacira që bën mund të vijë në pushtet. 

Po thoni se Berisha po kërkon mbështetje nga Greqia për tu kthyer në pushtet?
Berisha kërkon mbështetje nga kushdo për të ardhur në pushtet, e ka thënë edhe vetë.

Duket sikur ka përplasje Turqi-Greqi dhe sipas Berishës ju jeni me turqit dhe ai del sikur është më grekët, është komedi, parodi, çfarë është?
Sali Berisha nuk bën as komedi, as parodi, ai është ky gjithë kohës. Ai e ka dëshmuar gjithmonë se nuk ka interes kombëtar. Kërkova foto të Berishës dhe për çudi më dilte fotoja e tij me presidentin Erdogan në tunelin e Kalimashit në vitin 2009. Ai e kishte në krah për të inauguruar një projekt elektoral që nuk ka përfunduar as sot. 

Çfarë do të thotë prania e trupave greke sot në kufi?
Nuk ka asgjë që e cenon Shqipërinë. Ne jemi vend anëtar në NATO dhe kufijtë janë të sigurt edhe për këtë shkak. Nuk cenohemi nga kërkush në këtë moment që flasim.

A mendoni se duhet të kemi një buxhet më të lartë për armatosjen pavarësisht se jemi në NATO?
Ka një buxhet vjetor për Ministrinë e Mbrojtjes ku SHBA ka pasur rol primar në reformimin e Forcave të Armatosura. Pothuajse çdo vit ky plan është konkret dhe i buxhetuar dhe që natyrisht po zhvillohet. Harrojeni Shqipërinë me avionë luftarakë që stërviten

Pse kur fqinjët e bëjnë?
Interesat tona janë edhe interesa të NATO-s në këtë rast. Ushtria jonë po zhvillohet në paralelizëm me NATO dhe nuk kemi nevojë për hapa të tillë.

Është e pakuptimtë që peshkarexhat tona nuk peshkojnë në ujërat tona sepse ndalohen nga anijet greke dhe nga pala jonë nuk ka kush t’i mbrojë?
Reagimi nuk mund të jetë luftarak dhe demonstrativ në kuptimin ushtarak. Këto janë çështje që zgjidhen duke diskutuar, ne dokumente dhe sy më sy. Nuk mundet që as ne as ata të mendojnë ushtarakisht.

Ata e mendojnë, pse vijnë tanket në kufi në Shqipërinë?
Pyesni grekët, mua nuk më intereson më vjen të qesh. Nuk mendoj se Shqipëria mund të bëhet pjesë e një presioni apo agresioni ushtarak. Kam qeshur javës që shkoi kur Dule artikuloi në parlament të tilla çështje.

Duke mbetur tek Greqia , në dhjetor do të jetë vota e Athinës për hapjen e negociatave, a mund të thotë Jo Greqia apo mendoni se vizita e Ramës në Gjermani do zbehë qëndrimin e saj, është folur gjithashtu edhe për rezerva nga ana e Holandës për ne?
Kjo histori nuk ka lidhje me dëshirat greke dhe shqiptare, varet me konventat. Duhet bërë zbatimi sa më parë i reformës në drejtësi dhe duhet të fillohet menjëherë procesi i verifikimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për këtë arsye ja vlen apeli drejtuar gjithë shqiptarëve për Kushtetuesen që është bllokuar nga kërkesa e PD. Ata njerëz janë në konflikt të pastër interesi. Janë njerëz që duhet të verifikohen siç verifikohet kushdo. Nuk ka asnjë arsye që ai ligj të bllokohet, Komisioni i Venecias është shprehur qartë. Ndërkohë unë do ta quaja banditizëm veprimin e prokurorisë në IDLKPI pasi ka nisur hetimet pas një shkrimi në gazetë. Kanë frikën e tmerrshme sepse nuk justifikojnë dot asnjë qindarkë të pasurisë së tyre. Kontrolli i pasurisë së tyre do të bëhet qindarkë më qindarkë dhe nëse e kanë duke shitur e blerë drejtësi do të dënohen.

Prokuroria s’mund të shkojë kudo. Në rast se kryeinspektoriati ka shkelur ligjin të deklarojë provat për të, po nëse nuk ka asnjë provë për çfarë po heton. Prokuroria kërkon të marrë të gjithë serverin 14 mijë dosje kur ruhen të dhënat e zyrtarëve të lartë . Prokuroria po kërkon të bëjë presion në funksion të reformës në drejtësi.

Por ju e dini që edhe vetë prokuroria do t’i nënshtrohet vettingut?

Konflikti i interesit është ajo që po ndodh. Se çfarë mendojnë këta pyetini. Nuk ka skandal më të madh se të përdoret KLD për të mësyer gjyqtarët kundër Vettingut. Gjyqtarët po gjykojnë për interesin e tyre. Pse këta nuk duan që kontrolli i pasurive të tyre të bëhet nga subjekti që kontrollon çdo pasuri në Shqipëri? Pse këta janë ndryshe.

Megjithatë Inspektoriati (ILDKPKI) nuk është se ka shkëlqyer...??
Në harkun e një viti e gjysmë ka depozituar në Prokurori aq çështje që nuk ishin depozituar kurrë më pare, asnjë veprim nga prokuroria. 

Keni një opinion për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për kanabisin?
Është një mbledhje e kotë. Kam dëgjuar presidentin që do mblidhet por nuk di temën konkrete por nëse është për kanabisin është e kohë. Menjëherë pas deklaratës së Nishanit erdhi raport-progresi. A duhet bërë më shumë? Patjetër. Di të them vetëm një gjë se e gjitha është politikë. Politika duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flet, propozon dhe kthen kauzë çështje të tillë. 

Keni menduar për presidentin e ri ?
Kur t’i vijë vakti. Ka shumë momente para se të shkojmë te zgjedhja e presidentit. 

Koalicioni me LSI kur vjen, Meta sot kur u pyet për koalicionin ishte “pending”?
Ne s’jemi pending.

I keni marrë parasysh variantet e koalicionit me dhe pa LSI në zgjedhjet e ardhshme?
Tani ne kemi vetëm një variant, është ai që kryeministri e ka deklaruar që në zgjedhje duam të hymë me këtë maxhorancë aktuale që kemi ku është LSI dhe PDIU dhe partitë e tjera. Jemi në pritje të përgjigjes së LSI.

Po marrëveshja me PDIU?
Besoj që edhe PDIU është pjesë e ofertës sonë për të qenë në koalicion parazgjedhor.

Lu vlerësoi disa ministra me 10 disa me 0, keni identifikuar ndonjë me 0?
Edhe unë mendoj se ka ministra me performacë 0. Ka ministra që nuk e kanë justifikuar, por kjo çështje nuk është shtruar për diskutim. Kur kjo do të shtrohet brenda partisë të jeni i bindur që nuk do mbaj rezerva.

Më vjen keq si qytetar i këtij vendi të drejtohem nga ministra me notë zero, nuk do të ishte mirë t’i hiqnit mbetësit?
Ky është vendim i kryeministrit. Po unë nuk e rrudh gjuhën në këtë aspekt. Nuk dua t’i futem kësaj historie dhe të flas. Unë nuk mendoj se vlerësimi është vetëm për PS por për gjithë qeverinë.

Sa mund të ndikojë fitorja e Trump në marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë ?
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel shumë të lartë. Kam bindjen që këto marrëdhënie nuk do të cenohen. Amerika për ne është shumë e rëndësishme për sigurinë kolektive por edhe si partner strategjik. Mendoj se nuk do të ketë shkarje në marrëdhënien mes dy vendeve. Nga e marta e deri këtej kam qeshur pa hesap nga deklaratat e politikanëve shqiptarë. Basha, Kokëdhima nuk kanë në kuptuar asgjë nga zgjedhjet në Amerikë dhe nuk e njohin fare programin e Trump.

Dhe një pyetje të fundit për KombëtareN, shpresoni në një fitore pavarësisht klimës me masa të rrepta sigurie?
Dua dhe pres që kombëtarja të fitojë por jam i shqetësuar me atë që po ndodh me Flamurtarin. Një nga të vetmin sipërmarrës që i është ofruar futbollit penalizohet. Çunat mbarojnë ndeshjen dhe largohen nga Shqipëria, por futbolli ne vend ka probleme.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë