TIRANE - Shorti i hedhur nga ILDKP, përcaktoi dje 196 emrat e zyrtarëve të lartë, të cilëve do tu hetohet pasuria që ata kanë deklaruar pranë këtij institucioni. Mes emrave spikatin emrat e 6 deputetëve të Kuvendit, 18 emra gjyqtarësh, 15 emra prokurorësh nga gjithë vendi, emra doganierësh apo dhe inspektorësh në drejtori dhe ministri të ndryshme apo dhe këshilltarë të kryeministrisë. Janë 5 deputetë socialistë Ben Blushi, Fidel Ylli, Hazi Gashi, Edison Konomi dhe Arben Çuko, si dhe demokrati Mehmet Xheka.

Nga qeveria në largim, zyrtari më i lartë që do hetohet për pasurinë është zv/ministri, Neritan Alibali. Kryetarja e këtij institucioni, Zana Xhuka, ndërsa prezantoi nisjen e shortit publik, nuk dha asnjë shifër për sa i përket verifikimeve apo kallëzimeve penale për persona që kanë fshehur pasurinë e tyre përgjatë vitit 2011 dhe 2012. Ndërkohë që deklarimet e pasurisë të zyrtarëve për vitin 2012 pritet të bëhen pas kontrollit për pasaktësi, apo të dhëna konfidenciale dhe të shkaktojnë probleme.

Për këtë do të kryhet edhe kontrolli aritmetiko logjik, i cili fillon me urdhrin e Inspektorit të Përgjithshëm. Ndërsa në 8 muajt kur në krye të ILDKP qëndron zonja Xhuka nuk ka pasur asnjë referim në Prokurori dhe asnjë masë administrative. Për këtë ajo ia kaloi përgjgjësinë ish kreut të këtij institucioni, Adriatik Llallës.

“Bashkëpunimi me prokurorinë, është si të thuash, ka mbetur në dosjet që janë çuar përpara se unë të merrja këtë pozicion punë. Edhe deri tani unë nuk kam ndonjë rezultat nga prokuroria për dosjet që kanë qenë të paraqitura nga paraardhësi im. Ju duhet të pyesni Prokurorin e Përgjithshëm, për mua çdo bashkëpunim është i frytshëm”, u shpreh ajo.

Lista e plotë e 196 zyrtarëve që do tu hetohet deklarimi i pasurisë nga ILDKP sot në Shqiptarja.com

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.09.2013
 
Redakasia online
(b.m/shqiptarja.com)