TIRANË - Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive ka nisur verifikimin e pasurive për 196 zyrtarë  ndër 4640 për vitin 2013, ndërsa kryeinspektorja e ILDKP-së, Zana Xhuka, nuk raporton asnjë shifër për shkeljet e gjetura gjatë deklarimeve për dy vitet e shkuara.
 
E pyetur për bashkëpunimin me organin e akuzës dhe kallëzimet e bëra, znj.Xhuka përgjigjet se për këtë gjë duhet pyetur organi i akuzës.

Ndërsa prezantoi nisjen e shortit publik, Kryeinspektorja e këtij institucioni nuk dha asnjë shifër për sa i përket verifikimeve apo kallëzimeve penale për persona që kanë fshehur pasurinë e tyre përgjatë vitit 2011 dhe 2012.

Interesimit të mediave për raportet me Prokurorinë, znj.Xhuka iu përgjigj se për këtë duhet pyetur prokurori, ndërsa ajo i vlerëson bashkëpunimet si të shkëlqyera dhe kur ato mungojnë.

Burime për “A1Report!” në organin e akuzës thanë se në 8 muaj nuk është depozituar asnjë kallëzim nga ILDKP-ja për cilindo zyrtar që mund të ketë abuzuar apo fshehur të ardhurat, duke sqaruar se në momentin e parë që do të ketë një kallëzim, bashkëpunim do të jetë maksimal dhe transparent, duke informuar publikun për çdo fazë të hetimit.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)