Ilir Babaramo: Për Bashkimin dhe ëngjëllin e tij mbrojtës

Ilir Babaramo: Për Bashkimin dhe ëngjëllin e tij mbrojtës

Bashkim Fino

Bashkim Fino u përcoll për në banesën e fundit me një procesion ku u bashkuan lotët e familjes, dashuria e miqve dhe respekti i kundërshtarëve. Sot Shqipëria humbi një nga shtetarët më të mirë, Gjirokastra një nga njerëzi t e saj më të njohur.

Plot 24 vjet më parë, sytë e shqiptarëve u kthyen gjithë shpresë tek një 35 vjecar pothuajse i panjohur në Tiranë. Vendi ishte në prag të lufës civile. E vetmja hapësirë ku krijohej iluzioni se shteti mund të ekzistonte ishin ato 500 metra që ndajnë selinë e Qeverisë me atë të Presidencës. Çdo përpjekje për të vënë situatën nën kontroll rezultonte donkishoteske. Situata mund të dukej akoma dhe më e pashpresë kur për t'i dhënë fund marrëzisë kolektive shqiptare u zgjodh dikush që kishte lindur përbri një rrugice me emrin “sokaku i të marrëve”. Misioni i Finos ishte në kufijtë e të pamundurës. Me gjeste pajtimi , të vogla në dukje si një ndeshje futbolli, por mbi të gjitha me mesazhe paqe , Fino arriti t'i kthejë shpatat në parmenda. Vetëm ato katër muaj si kryeministër i mjaftojnë që të hyjë në historinë e Shqipërisë. Mbi të gjitha, të mbahet mend për mirë nga të gjithë. Arritje tepër e rrallë në këto vise.

Kontakti i parë me Bashkimin për këdo duhet të ketë qenë një kurth. Shpërthimet e tij të ngjashme me ato të përrenjve të shumtë të Gjirokastrës ta krijonin këtë iluzion. Mund të grindeshe në kafe për një penallti të anulluar të “zikaltërve” ashtu dhe për një amendament kushtetues në Parlament. Por ky ishte veçse kontakti i parë. Pas polemizuesit pasionant fshihej një nga njerëzit më racionalë të politikës shqiptare. Fjala “bonhomme” duket se ishte kostumi real I Finos. Ishte sfiduesi i konfliktit. Mbeti pasionant i arsyes , kompromisit. Ishte vetë boshti i simetrisë. Gjithnjë duke ruajtur cipën në faqe, ndërkohë që kjo e fundit është bërë më e rrallë se uraniumi në politikën shqiptare.

Disa besonin se Fino kishte një mangësi si politikan. Nuk fliste gjuhë të huaja. Dokra snobësh. Fino i fliste kujtdo në gjuhën që kuptonte. Fjalët e tij ishin po aq të qarta si për Mellanin, hamallin e lodhur në Qafë të Pazarit ashtu dhe për Klintonit në Zyrën Ovale.

58 vitet e jetës së tij kaluan një e nga një nën krahët e ëngjëlli mbrojtës. I ati iku nga kjo botë tre muaj para se Bashkimi të vinte në këtë jetë. Aneja vuri shallin e zisë të cilin nuk e hoqi deri ditën e fundit të saj. 58 vitet e tjera të jetës së saj I jetoi vetëm për një arsye : të bënte të lumtur Bashkimin. Dhe ai vërtet kaloi një fëmijëri të lumtur, mes dy pasioneve që fare s kanë lidhje me njëri tjetrin : violinën dhe futbollin. Aneja I kaloi plot 58 vite si një fuqi providenciale e Bashkimit. Luftën me vdekjen Fino e nisi pesë vjet më parë. Të gjithë besuam se e fitoi. Por jo aneja. Parandjenjat e nënës kurrë nuk gabojnë. Ndaj u nis para tij pak javë më parë për ta pritur sërish Bashkimin në tjetrën jetë. Diku në qiell me shpresën se mund ta shikojnë bashkë sërish Gjirokastrën. Nga lart.

Lamtumirë miku im

Përqafime Dianës, Megit , Redit

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’