Tirane- Gjykata e Posaçme vendosi që ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj duhet të paguajë detyrimet për të marrë aktet që janë në dosjen hetimore të SPAK për sterilizimin

GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme e cila vlerësoi se skanimi i akteve kushton mbi 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra që duhen shlyer nga pala kërkese që ti vihen në dispozicion.

Më 21 shkurt 2024 Ilir Beqaj paraqiti në GJKKO kërkesën me objekt: Detyrimin e Prokurorisë së Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të vendos në dispozicion të z.Ilir Beqaj si “person nën hetim”, pa kurrfarë detyrimi momentar nga ana e tij për shërbimin e skanimit, të akteve të deritanishme të dosjes hetimore që lidhet me procedimin penal Nr. 13, të vitit 2020, në kuadër të garantimit të së drejtës së tij kushtetuese dhe ligjore për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore në ngarkim të tij.

Përmes avokatit pretendohej se në bazë të ligjit, pala nën akuzë, paguan shpenzime gjyqësore vetëm nëse dënohet me vendim të formës së prerë.

Por gjyqtari Erion Bani vendosi sot rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj.

15 marsi 2024 është afati i fundit për mbylljen e hetimit për dosjen e Koncesionit të Sterilizimit. Hetimi nga SPAK, ka të bëjë me shkeljet që pretendohet se Beqaj ka kryer në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10 vjeçar të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj i cili tashmë ndodhet i arrestuar së bashku me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn.