TIRANE- Dy nga politikanët dhe ish-deputetët në Kuvend, Ilir Gjoni, ish- deputet i Partisë Socialiste si dhe Leonard Demi, ish-deputet i Partisë Demokratike janë dy kandidatët më të rinj për t’u bërë ambasadorë të Shqipërisë. Të dy këto kandidatura, të propozuara nga Ministria e Jashtme pritet që të thërriten në një seancë dëgjimore në Kuvend, në Komisionin e Jashtëm ditën e hënë, ku do jetë një seancë prezantimi të tyre e më pas do votohen. Pritet që ish-deputeti Ilir Gjoni të propozohet për ambasador i Shqipërisë në Zvicër, ku do zëvendësojë Mehemet Elezin, diplomat i përfolur si i emëruar poltikisht në këtë post, ndërsa Demi do të propozohet pranë misionit të NATO-s, ku pritet të zëvendësojë Artur Kukon.

Të dy këta emra kanë qenë anëtarë të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, ku Demi ka qenë kryetari i këtij komisioni, ndërsa Gjoni nënkryetar. Duket se me propozimin e Demit, mazhoranca ka lënë mënjanë mëritë e vjetra kur ka qenë në opozitë, duke marrë parasysh se Demi vjen nga radhët e deputetëve të djathtë. Gjatë tetorit me propozim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati kreu i shtetit ka bërë edhe lirimet e para nga detyra për disa ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme, ku ndërmjet tyre edhe liruar edhe ambasadori ynë në Zvicër.

Të liruarit e parë në radhët e diplomacisë janë ambasadorët Ridi Kurtesi në Katar, Mehmet Elezi në Zvicër, Arben Çejku në Maqedoni, Shpëtim Çaushi në Serbi, Vili Minarolli në Austri e Ruhi Hado në Suedi. Arsyet e kërkesës së Ministrisë së Jashtme për t’i shkarkuar këta gjashtë ambasadorë të parë nuk është vetëm për arsye të përfundimit të mandatit, por dhe për çështje të arritjes së moshës së pensionit dhe emërimeve politike që janë bërë në disa ambasada.

Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)