TIRANE- Dy ditë pas mbërritjes së 2 oficerëve grekë në Tiranë, për të marrë në pyetje të arrestuarin Ilir Kupa, i arratisur nga burgu i Trikallasë, marsin e kaluar, duket se akuzat e pakës greke ndaj tij s’kanë të sosur.

Mësohet se 2 oficerët grekë e pyetën pardje të arrestuarin Ilir Kupa edhe për shpërthimin në Gjykatën e Selanikut, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2010. Përveç burimeve nga policia kryeqytetase, lajmi konfirmohet nga e përditshmja greke “Kathimerini”, sipas të cilës Kupa ka mohuar lidhjet me “Grupin e Celulave të Zjarrit”, ku Alket Rizai është një tjetër shqiptar i akuzuar. Oficerët grekë pretendojnë se ka prova që e implikojnë 27-vjeçarin në shpërthimin e gjykatës së Selanikut, por Kupa akuzon policinë se i vranë shokët dhe se s’ka lidhje me krimet.

Zyrtarët përgjegjës të policisë, duke shprehur rezerva në lidhje me vlefshmërinë e pretendimeve të tij, sugjerojnë se ka prova për përfshirje në disa nga krimet e rënda, ku veçohet sulmi mbi ndërtesën e gjykatës të Selanikut, bombardimi në një klub nate në Avenue, Kalitheas dhe përfshirjen e tij në një vrasje në qendër të qytetit. Shpërthimi në gjykatën e Selanikut kishte ndodhur në muajin maj të vitit 2010 dhe përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë “Grupi i Celulave të Zjarrit”. I arratisuri nga burgu i Trikalasë kishte arritur t’i shpëtonte një përleshjeje me policët, në afërsi të kufirit grek, gjatë së cilës u vra shqiptari tjetër Marian Kola.

“Është e rëndësishme të mbushim boshllëqet në rrugën e ndjekur prej tij dhe të identifikojmë njerëzit që ofruan atij mbështetje”- tha për gazetën greke “Kathimerini”, një zyrtar i policisë. “Grupi i Celulave të Zjarrit” njihet në Greqi si një prej organizatave më famëkeqe që operojnë në shtetin grek, të cilët akuzohen për akte terroriste, pengmarrje, grabitje, vrasje dhe arratisje të shumta nga burgu. Alket Rizai është një prej shqiptarëve që akuzohet si përgjegjës në disa ngjarje të rënda, ndërsa është arratisur 2 herë nga burgjet e sigurisë së lartë.

Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)