TIRANE- Ilir Kupa, ka shpërthyer në akuza ndaj shtetit Shqiptar, i cili sipas tij nuk ka mbrojtur jetën e shokëve të tij, që u vranë barabarisht nga policia helene. Kupa, ka ngritur zërin në gjykatën e Tiranës, teksa po priste të fillonte seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë. I arratisuri nga burgjet greke, ka pohuar se nuk ka marrë pjesë në asnjë ngjarje kriminale në Shqipëri, dhe të gjithë që janë thënë nga policia për gazetat, janë të pavërteta. Ilir Kupa, shpjegoi se akuzohet vetëm për armëmbatje pa lejë dhe se për këtë vepër penale është i gatshëm ta vuajë dënimin e tij në Shqipëri dhe jo në Greqi.

Në momentin e arrestimit Kupës, i janë sekuestruar dy armë zjarri, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë rezistencë. Gjatë seancës gjyqësore avokati mbrojtës i Ilir Kupës, Lazer Sokoli ka deklaruar për në gjykatë se klienti i tij, nuk ka rrezikshmëri në shoqëri pasi nuk ka kryer asnjë krim në vendin tonë. Lazer Sokoli, u shpreh se deri në këto moment nuk ka asnjë kërkesë nga autoritet greke, për ekstradimin e Kupës në Greqi. Sokoli shtoi se do kundërshtojnë çdo kërkesë për ekstradim, duke u mbështetur në faktin e mos pasjes së një marëveshje ekstradimi me shtetin Grek. Ndërsa për sa i përket dy pistoletave, avokati pohoi se klienti i tij, i mbante për policinë greke.

Arrestimi rastësi
Sipas materialit të prokurorisë së Tiranës dorëzuar në gjykatës del se arrestimi i Kupës ka qëën një rastësi dhe jo një operacion i mirëfilltë policor. Në dokumentin e akuzës, nuk thuhet në asnjë rresht se policia ka pasur në ndjekje të vazhdueshme Kupën, duke përmendur se ndjekja e tij, ka filluar vetëm pasi mjeti ku udhëtonte Kupa nuk i është bindur forcave të policisë.Në datën 25.01.2014 rreth orës 01.00, në vendin e quajtur rruga dytësore në  fshatin Domje, nga shërbimet e policisë së komisariatit numër 6 Tiranë në bashkëpunim me F.N.SH në zbatim të planit të masave të përbashkët për kontrollin e territorit ku konsiston në ndalimin dhe kontrollin e mjeteve, si edhe ne krehje të territorit për parandalimin e veprave të ndryshme penale, ne momentin e lëevizjes në këtë rrugë dytësore forcat e policisë kanë konstatuar një automjet i cili po vinte me shpejtësi të madhe në drejtim të tyre.

Në këtë moment shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë kësaj makine që të ndalonte ku pasi u afrua u vu re që ishte një automjet i tipi “Alfa Romeo”, me targa të huaja. Ky mjet nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë moment shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje.

Kapja e Kupës
Në një kthesë ky mjet ka dalë nga rruga dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje në këmbë për të bërë të mundur gjetjen e personave që ishin në këtë mjet. Në një distancë rreth 50-70 në një terren rural dhe godina të braktisura është parë një person i cili është munduar të largohet me vrap nga forcat e policisë. Nga ana e punonjësve të policisë këtij personi i është bërë thirrje që të ndalonte, por personi në ndjekje ka nxjerrë nga brezi një armë duke e mbushur atë.

Këtu forcat e policisë kanë thërritur përsëri në drejtim të personit për të ndaluar veprimet dhe ai është bindur. Më pas është bërë e mundur që personi të prangoset si dhe t’i bëhet një kontroll i tij ku në një çantë që e mbante me vete i është gjetur dhe një armë tjetër brezi pistoletë me dy krëhëra si dhe disa fishekë luftarakë dhe një palë doreza të zeza. I pyetur për gjeneralitet e tij personi është përgjigjur se quhet Ilir Fatmir Kupa dhe se është person që kërkohej nga shteti Grek për vepra penale të kryera atje.


Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)